2007-05-22 17:19:24

Shpresat baritore dhe sfidat e mëdha shoqërore të Mozambikut në audiencën e Papës me ipeshkvijtë e vendit afrikan, në vizitë ad Limina.


(22.05.2007 RV)Filluan dje audiencat e Benediktit XVI me ipeshkvijtë e Mozambikut, që ndodhen në Romë për vizitën ad Limina. Si ndodh zakonisht me ipeshkvijtë që vijnë nga të katër anët e Tokës, edhe prelatët e Mozambikut i folën Papës për realitetin baritor të Kishave të tyre dhe për situatën shoqëroro–politike në të cilën u duhet të kryejnë misionin e tyre, për të dëgjuar, pastaj, në përfundim të bisedimeve të tyre, reflektimet e Atit të Shenjtë.
Ndihma konkrete për familjen e mbrojtja me guxim e jetës: këto janë veprimtaritë themelore baritore që theksuan barinjtë mozambikas në dialogun me Atin e Shenjtë. Sollën kështu me vete problemet rreth të cilave diskutuan edhe në Asamblenë e tyre, mbajtur në prillin e kaluar, gjatë së cilës u zotuan t’i kundërvihen projekt-ligjit për ligjërimin e abortit. Prelatët janë plotësisht të vetëdijshëm se ndodhen para sfidave të mëdha shoqërore si lufta kundër varfërisë, kundër analfabetizmit, korrupsionit, kriminalitetit e përhapjes së Sidës, të cilat duhet t’i përballojnë krah për krah me institucionet shtetërore, në një vend që me marrëveshjet e paqes të 1992-it doli nga një konflikt i rëndë civil ndërmjet ushtrisë qeveritare e partisë unike të Frontit për çlirimin e Mozambikut, që ka qeverisur qysh nga fitimi i pavarësisë nga Portugalia në vitin 1975 e deri në vitin 1990 dhe guerriljes së RENAMO (Rezistencës Kombëtare Mozambikiane). Pas përpjekjeve të mëdha, sot vendi ka hyrë në rrugën e demokratizimit, kurorëzuar në vitin 2004 me Kushetutën e re, e në rrugën e zhvillimit, kurorëzuar me rritjen vjetore 7% të prodhimit kombëtar brut. Por prelatët kërkojnë që zhvillimi ekonomik të ecë krah për krah me nivelin moral e intelektual të vendit. Kisha e Mozambikut është e organizuar në 12 dioqeza. Besimtarët katolikë përbëjnë ¼ të popullsisë prej 16 milion banorësh. Jetojnë pranë e pranë me ndjekës të feve tradicionale afrikane, me islamikë, protestantë e jo besimtarë. Mesatarja e jetës në vend është akoma shumë e ultë: 45 vjeç për burrat, 49 për gratë.







All the contents on this site are copyrighted ©.