2007-05-22 18:46:38

NATO konfirmon mbështetjen për planin e Ahtisarit


(22.05.07 RV)Pas takimit të djeshëm me presidentin e SHBA-ve, Xhorxh Bush, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Skefer përsëriti përkrahjen e NATO-s për propozimin e Ahtisarit mbi statusin e Kosovës.
E vetmja e panjohur në qëndrimin e Këshillit të Sigurimit mbi Kosovën, mbetet Rusia. Në konferencën për shtyp, presidenti amerikan pohoi se ekzistojnë tensione ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë dhe u shpreh me pesimizëm mbi rrugën ruse të demokracisë nën presidentin Vladimir Putin. “Mesazhi im për Vladimir Putin – tha Bush – është se interesat e tij dhe të Rusisë janë të lidhura me Perëndimin, prandaj ne duhet të punojmë sëbashku”.
Kohët e fundit, presidenti rus e ka krahasuar Amerikën me Raihun e Tretë të Hitlerit e kjo retorikë nuk u harrua edhe pas vizitës së sekretares së Shtetit, Kondolica Rajs në Moskë.


“Vetëm një perspektivë evropiane për krejt Ballkanin perëndimor do të mundësojë një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”. Kështu tha sot kryeministri i Bullgarisë, Sergei Stanishev, i cili ndodhet në Romë për një konferencë mbi mediat ndërkombëtare bullgare. Bullgaria mbështet plotësisht planin e Ahtisarit për Kosovën, por sot Stanishev kërkoi edhe që Brukseli të garantojë respektimin e pakicës serbe dhe të ndërtesave të kultit në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.