2007-05-22 17:20:07

Imzot Tomazi në Asamblenë e 60-të Botërore të Shëndetit theksoi: edhe të varfërve të botës duhet t’u sigurohet ndihma shëndetësore.


(22.05.2007 RV)RealAudioMP3 Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrave të OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Tomazi, gjatë punimeve të Asamblesë së 60-të Botërore të Shëndetit, që vijon në qytetin helvetik, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për solidaritet konkret ndaj të varfërve të botës, duke u siguruar ndihmën shëndetësore. Prelati nënvizoi se është e nevojshme të ulet çmimi i ilaçeve dhe denoncoi faktin se ata që vuajnë më shumë nga mugesa e mjekimeve, janë fëmijët. Më pas Imzot Tomazi kujtoi thirrjen e Papës për të mos e harruar Afrikën. Por, ta dëgjojmë përfaqësuesin e Vatikanit në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Në këtë ças duhet bërë ç’ është e mundur për ta ndihmuar Afrikën që të organizojë struktura normale për ndihmën mjekësore të popullsisë së saj e posaçërisht për përballimin e pandemive të mëdha, të cilat krijojnë probleme të rënda në mbarë Kontinentin. E kemi fjalën kryesisht për malarjen, tuberkulozin e Sidën.
Pyetje: - Një bilanç të kësaj Asambleje të 60-të të OMS-it, që po i afrohet përfundimit…
 Përgjigje: - Kryesisht flitet për hapa pozitivë. Në këtë çast shumica e vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dëshirojnë të gjejnë formulën e duhur e të drejtpeshuar për t’u siguruar edhe vendeve të varfëra të gjitha ilaçet e nevojshme. Por megjithatë mbetet përherë një mangësi: jo të gjithë janë njëmendjeje lidhur me arritjen e objektivit për përmirësimin e cilësisë së jetës e të shëndetit si për popullsitë e vendeve të zhvilluara, ashtu edhe për ata të vendeve të varfëra. Nganjëherë koncepti i jetës nuk kuptohet drejt e, prej këndej, buron shqetësimi i madh në këndvështrimin etik e në këndvështrimin e perspektivës së krishterë, sepse jeta në fillimin e në mbarimin e vet kushtëzohet nga interesa të menjëhershme e nga rrugëzgjidhje që nuk e pasqyrojnë aspak vizionin tonë antropologjik e aq më pak, planin e përgjithshëm të jetës, të menduar nga Krijuesi.







All the contents on this site are copyrighted ©.