2007-05-21 17:46:41

Priten hapa të rëndësishme përpara në takimin plenar të Komisionit dypalësh Seli e Shenjtë-Izrael që po mbahet në Vatikan.


(21.05.07. RV)Për herë të parë, pas 5 vjetësh, negociatorët kryesorë të Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Izraelit u takuan sot në Vatikan, në kuadrin e mbledhjes plenare të Komisionit të përhershëm të punës, të përbërë nga përfaqësues të të dyja palëve.
Plenaria e mëparshme u mbajt në mars 2002, ndërsa mbledhja e sotme plenare qe planifikuar për 29 marsin e kaluar, por Izraeli vendosi, në çastin e fundit, të mos i dërgonte përfaqësuesit e tij, duke shpjeguar se kryetari i delegacionit, drejtor i përgjithshëm i ministrisë së jashtme, duhet të ishte i pranishëm në një takim të paparashikuar. Kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në takimin që filloi sot paradite, është imzot Piero Parolin, zevendës-sekretar për marrëdhëniet me shtetet. Detyra e posaçme e kësaj mbledhjeje plenare është të bëjë ndonjë hap domethënës përpara në bisedimet mbi “Marrëveshjen e përgjithshme”, në të cilën bëhet fjalë për sigurimin e pronave të rregulltarëve të Kishës katolike në Izrael dhe rikonfirmimin e përjashtimit të Kishës nga taksat, e drejtë që e gëzonte në çastin e lindjes së Shtetit të Izraelit e që Kombet e Bashkuara patën vendosur të mbrohej nga Shteti Hebraik. “Marrëveshja e përgjithshme” u kërkua nga ‘Marrëveshja themelore’, që Izraeli nënshkroi me Selinë e Shenjtë tetë vjet më parë, më 11 mars 1999.







All the contents on this site are copyrighted ©.