2007-05-19 18:03:01

“Industria e mjeteve të komunikimit të respektojë dinjitetin e njeriut, nevojat e familjes dhe të fëmijëve”: këtë thekson Papa në mesazhin për Ditën e 41-të botërore të komunikimeve shoqërore, që u kremtua sot.


(20.05.2007 RV)Papa vë theksin kryesisht mbi edukimin e përshtatshëm për përdorimin korrekt të mjeteve të komunikimit, që është themelor për zhvillimin moral e shpirtëror të fëmijëve. Shenjtëria e Tij u kërkon me forcë punonjësve të mjeteve të komunikimit të impenjohen për të promovuar dinjitetin e njeriut, duke respektuar etikën e duke mos u ulur në nivelet e standartit, nën shtytjen e konkurencës me qëllim fitimi.
Është e ultë çdo prirje për të prodhuar programe – duke përfshirë këtu edhe filmat vizatimorë e video-lojrat – të cilat në emër të dëfrimit, mburrin dhunën, pasqyrojnë sjellje anti-shoqërore ose vulgarizojnë seksualitetin njerëzor. E kjo bëhet edhe më e rëndë kur këto programe prodhohen për fëmijët dhe adoleshentët. Papa i nxit drejtuesit e industrisë së mjeteve të komunikimit t’i formojnë e t’i inkurajojnë prodhuesit për të mbrojtur të mirën e përbashkët, të vërtetën, dinjitetin njerëzor dhe për të respektuar nevojat e familjes.Ashtu si edukimi në përgjithësi – shkruhet në mesazh – edhe mjetet e komunikimit kërkojnë përgatitje për ushtrimin e lirisë. E kjo sepse – thekson Papa – tepër shpesh liria paraqitet si kërkim i palodhur i kënaqësisë ose i përvojave të reja. E ky është dënim, nuk është çlirim. Çlirimi i vërtetë nuk do ta dënonte kurrë njeriun, posaçërisht fëmijën – me dëshirën e kërkimit të pangopur të gjërave të reja. Papa thekson se liria e vërtetë provohet kur fëmija zgjedh, jo mbarë e prapë, por me paramendim, gjithçka është e mirë, e vërtetë, e bukur . Edukimi përmes mjeteve të komunikimit duhet të jetë pozitiv, duhet ta ushqejë mendjen e fëmijëve me gjithçka që është moralisht dhe estetikisht e shkëlqyer. E kjo, që është edhe edhe dëshira e prindërve dhe e mësuesve, mund të mbështetet fuqimisht nga industria e mjeteve të komunikimit vetëm në se kjo industri mbron dinjitetin themelor të njeriut, vlerën e vërtetë të martesës dhe të jetës familjare, arritjet më pozitive të njerëzimit. Është detyrë e prindërve, e Kishës dhe e shkollës t’i edukojnë fëmijët për të zgjedhur atë që vlen – nënvizon Papa- duke shtuar se prindërit kanë të drejtë të sigurojnë përdorimin e urtë të mediave.







All the contents on this site are copyrighted ©.