2007-05-18 16:43:16

Shtegtim te Zoja, Pajtore e shqiptarëve: Gjenacan 27 maj 2007.


(18.05.2007 RV)Emigrantë shqiptarë nga të katër anët e Italisë e nga vise të tjera ku jetojnë e punojnë, do të mblidhen përsëri te Shenjtërorja e “Zonjës së Këshillit të Mirë” në Gjenacan. Është një devocion me rrënjë të lashta, i lindur në Shkodër e i lidhur me figurën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve.
Në Qytetin e Veriut që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katolicizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur si gjarpri nën gur për shekuj e shekuj. E pikërisht në këtë kohë, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i shenjtërores rrëzë Këshjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake dhe, e mbartur nga ëngjëjt, mbështjellë prej një reje, u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Zoja mërgoi pas bijve të saj! Gojëdhëna tregon edhe se Figuren e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores e, ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve, Zoja e mërgimtarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjencan.
Këtu do të mblidhen shqiptarët në përfundim të majit, muajit të Zojës, në një takim që përsëritet çdo vit, për të kremtuar festën, e cila tashmë është bërë kombëtare.
Nisma, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore shqiptare dhe nga Fondacioni Migrantes i Konferencës ipeshkvnore italiane, parashikon të dielën, më 27 maj 2007, ora 11.00, pranë Shenjtërores ku ruhet ikona, një Kremtim eukaristik që do të pasohet nga lutja drejtuar Zojës së Bekuar. Mesha dhe lutja do të kryesohen nga delegati ipeshkvnor për misionet, Imzot Hil Kabashi, administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut e do të gjallërohet nga të rinjtë shqiptarë të bashkësisë së Romës.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.