2007-05-18 17:40:17

Dje u kremtua 10-vjetori i vendosjes së shtatores së Zojës Lurdë në shpellën e Komanit.


(20.05.2007 RV)Kur kjo shtatore u vendos në shpellën e Komanit, 10-vjet më parë, u krijua përshtypja se Zoja po u dukej shqiptarëve, siç kishte bërë disa herë, në kohë e vende të ndryshme, kur popujt e ndjenin fort nevojën e pranisë së saj amtare, nevojën e këshillit të mirë e të ndërmjetësimit pranë Birit Hyjnor.
Zoja u duk më 1858 në Lurdë të Francës, një fshat malor pranë lumit Gave, tek këmbët e masivit të Pirenejeve. I foli bareshës së vogël, Bernardetë Subiru, duke i kërkuar lutje e flijme për shpëtimin e botës, që po kalone një krizë të rëndë fetare.
U duk përsëri më 1917, në Fatima të Portugalisë, kur Bota ishte e mbytur në gjakun e Luftës I Botërore. U foli tre barinjve të vegjël, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje, flijime e pendesë, që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave.
U riduk më 1980 në Hercegovinë, në Ballkanin që ishte në prag të një gjakderdhjeje të re. I foli një grupi të rinjsh, duke vijuar të kërkojë lutje e flijime. Ndërmjet të rinjve pati nga ata që dëshmuan se panë të shkruar në qiell edhe fjalën “Mir” – “Paqe”. Zoja kërkonte lutje për paqe, sepse parashikonte rrezikun e një lufte që do të përfshinte mbarë ish-Jugosllavinë, gjë që na kujton mijëra të vdekurit e Sarajevës e, sidomos, dramën e sivëllezërve tanë të Kosovës.
Më 1997, dhjetë vjet më parë, Shqipëria kishte hyrë në një krizë të thellë të gjithanëshme. Pikërisht këtë vit shtatorja e Zojës Lurdë u vendos në një shpellë të Komanit që nga, prej dhjetë vjetësh, ndërmjetëson për fatet e bijve të saj shqiptarë. Ata që e vendosën shtatoren e Zojës Lurdë në shpellën e Komanit e që organizuan kremtimet me rastin e 10-vjetorit të qëndrimit të saj në Shqipëri, i ftojnë gjithë besimtarët shqiptarë t’i shprehin Nënës së Krishtit mirënjohjen për praninë e Saj në trojet tona e në zemrat e të devoçëmve të saj!







All the contents on this site are copyrighted ©.