2007-05-18 17:44:39

Dhunim i ligjit natyror, krijimi i embrionit njeri-kafshë. Flet imzot Sgreça.


(18.05.07 RV)RealAudioMP3 Britania e Madhe ka lejuar, me një vendim të Ministres së Shëndetësisë, krijimin e embrioneve njeri-kafshë. Praktikisht, për qëllime shkencore, dhe vetëm me autorizim rast për rast, mund të krijohet një embrion i cili është i përbërë në masën 99,9% nga material gjenetik njerëzor dhe në masën 0,1% nga material gjenetik shtazor. Megjithëse embrionet e vërteta njeri-kafshë, ato që lindin nga përdorimi i ovociteve dhe spermatozoidëve, mbeten të jashtëligjshme, ky vendim i qeverisë së Londrës ka shkaktuar reagime të shumta dhe nga bashkësia shkencore ndërkombëtare. Kundër janë shprehur Shoqata e mjekëve britanikë dhe organizata “Koment mbi Etikën Riprodhuese”. Vetëm 6 muaj më parë, krijimi i këtij lloj embrioni qe konsideruar jo i ligjshëm, por ministrja e shëndetësisë mori parasysh thirrjen e bërë nga gazeta “Tajms”, ku 45 shkencëtarë me interesa të veçanta, kërkonin që për hir të shkencës të lejohej krijimi i këtyre embrioneve, që sipas tyre, do të mundësojnë kurimin e sëmundjeve si Parkinsoni e Alzhaimeri. Me ç’rezultate për të ardhmen e njerëzimit? Flet në mikrofonin tonë imzot Elio Sgreça, president i Akademisë Papnore për Jetën:
Krijimi i një hibridi njeri-kafshë është një kufi që deri tani ka qenë i ndaluar në fushën e bioteknologjive, e jo vetëm nga shoqatat fetare. E kjo, sepse kompromentohet dinjiteti i njeriut, fyhet dhe sepse nëpërmjet këtyre fekondimeve, mund të krijohen përbindësha. Është e vërtetë se këto embrione shkatërrohen pas 14 ditësh, por gjithsesi, krijimi i tyre paraqet dhunimin e nje kufiri të vendosur nga vetë natyra, dhunimin më të rëndë.
Imzot Sgreça, ministrja britanike e Shëndetësisë, Karolajn Flint ka deklaruar se ka marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme të Bashkësisë shkencore Kombëtare. Cilat janë përgjigjet që prisni ju nga Bashkësia shkencore ndërkombëtare?
Pres përgjigjen që deri tani kanë dhënë të gjitha bashkësitë e tjera shkencore. Deri tani, në Evropë ky lloj eksperimenti është i ndaluar e besoj se do të konfirmohet linja e ruajtjes së llojit, respektimi i specieve. Deri tani, njeriu nuk është respektuar, sepse embrionet njerëzore shkatërrohen e flijohen në mënyra të ndryshme edhe në vetë fekondimet artificiale. Por, të paktën respektohej kufiri ndërmjet llojeve. Tani edhe ky kapërcehet dhe pasojat nuk janë llogaritur. Mbi të gjitha nuk ishte e nevojshme diçka e tillë. Nëse kërkohen qelizat staminale për të kuruar Alzhaimerin dhe Parkinsonin, s’është aspak e nevojshme të krijohet një hibrid njeri-kafshë, sepse ekzistojnë qelizat staminale të rritura, ato të kordonit të kërthizës, ato të njeriut të rritur, për të përballuar me besim këto detyra të reja.
Pse këta shkencëtarë kanë ndjerë nevojën ta kapërcejnë kufirin që përmendët?
Sepse shkencëtari që merr parasysh vetëm përparimin e punës shkencore, jo gjithnjë ka parasysh elementet antropologjike dhe filozofike, po ashtu edhe respektimin e natyrës e të rendit natyror. Ekziston një etje për dije që duhet mbajtur brenda disa caqeve, një etje për eksperimentim që mund ta përmbysë kuptimin moral të eksperimentit, nëse nuk kontrollohet nga ndjenja e ekuilibrit dhe nga arësyeja njerëzore.

 
Një raport i Organizatës Botërore të Ushqimit vë në dukje se është shtuar prodhimi botëror i drithërave por nuk mund të plotësojë kërkesën gjithnjë në rritje. Fjala është për nevojat e industrisë së biokarburanteve, e cila prodhon karburant sidomos nga misri. Në këtë vit, prodhimi botëror i drithërave arrin në 2,095 miliard tonelata, 4,8% më shumë se vitin e kaluar. Por pikërisht për shkak të prodhimit të karburantit prej tyre, çmimi në të gjithë botën është rritur, duke bërë që vendet e varfëra të kenë gjithnjë e më pak mundësi për t’i blerë. Për pasojë, këto vende, që Organizata vlerëson të jenë 33, ka mundësi të shkojnë drejt një krize ushqimore. Raporti pra, vë në dukje se duke kërkuar karburant që të zëvendësojë naftën e ta mbajë ajrin që thithim më të pastër, bota mund të shkojë drejt problemit të sigurimit të “bukës së gojës” për miliona vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.