2007-05-17 16:41:11

Sot në Vatikan u kremtua Festa e të Shëlbuemit, solemnitet që kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur.


(17.05.2007 RV)Sot në Vatikan u kremtua solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në qiell, që në disa vende, ndërmjet të cilave edhe trevat shqiptare, do të kremtohet të dielën e ardhshme.
Me këtë festë kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e krishtërimit në mbarë botën.
Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme ngjitja e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati, që përmbushi shëlbimin: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na e rrëfen Shën Gjoni:
“Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë”.
Me këto fjalë, shqiptuar më 8 maj, dy vjet më parë, Benedikti XVI kujtoi domethënien e solemnitetit të të Shëlbuemit.
“Dyzet ditë pasi u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit. Na dërgon Shpirtin e tij e na jep shpresë se një ditë do të arrijmë në vendin që na e ka përgatitur:
“Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Ai na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes”. Këtë Papa Racinger e shpjegoi gjatë kremtimit të Mbretëreshës Qiellore, më 21 majin e kaluar, ndërsa ndonjë muaj më pas, duke kremtuar në Mynih lutjet mbrëmësore të 10 qershorit, theksoi: “Ne duhet të jemi të sigurtë se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Ai e ka ngritur çadrën e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vemë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!







All the contents on this site are copyrighted ©.