2007-05-17 17:18:56

Nuk pritet gjë nga mbledhja Rusi-BE në Samara


(17.05.07 RV)Fillon nesër në Samara takimi i nivelit të lartë ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Evropian, ku do të marrin pjesë presidenti rus Putin, kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti i Komisionit Evropian, Barroso. Është hera e parë që nuk do të nënshkruhet një marrëveshje partnershipi strategjik, tregues i momentit të vështirë në marrëdhëniet dypalëshe.
Polonia ka vendosur veton kundër një marrëveshjeje bashkëpunimi me Moskën, pas embargos ruse për eksportimin e mishit polak. Sot bëhet e ditur se ministrja e jashtme polake ka refuzuar të shkojë në Moskë për sqarime. Tema të tjera të nxehta janë pa dyshim marrëdhëniet e Rusisë me Estoninë dhe çështja e Kosovës. Nga Samara nuk pritet ndonjë zgjidhje. Takimi do të shihej si i suksesshëm edhe sikur vetëm të përmirësonte disi marrëdhëniet Bruksel-Moskë.

Me propozim të delegacionit shqiptar, sesioni i 34-t i Konferencës së Ministrave të Jashtëm të Konferencës Islamike në Islmabad mori në shqyrtim dhe miratoi me konsensus një rezolutë mbi Kosovën, ku lavdërohen përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit përfundimtar. Takimi u zhvillua nga 15 - 17 maj në Islamabad të Pakistanit, ku u mblodhën 57 vendet anëtare, që i dhanë përkrahjen e tyre planit të Ahtisarit. Në to përfshihen edhe Katari dhe Indonezia, që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kriminelët e luftës, të kërkuar nga Gjykata e Hagës, gjeneralët serbë Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq janë në Beograd. Një zëdhënëse e Gjykatës së Hagës nxit autoritetet serbe t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë ata. Olga Kavran, zëdhënëse e kryeprokurores Karla Del Ponte, sqaron sot për gazetën serbe “Danas” se Haga u ka kaluar autoriteteve edhe një informacion lidhur me vendndodhjen e Mlladiqit, por në natën e së martës, policia nuk e gjeti më gjeneralin në shtëpinë e shënuar. Derisa të plotësojë këtë kërkesë të Gjykatës së Hagës, Serbia do të ketë probleme për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.