2007-05-17 17:19:36

Fijon është kryeministri i ri i Francës e lajme të tjera


(17.05.07 RV)Është Fransua Fijon kryeministri i ri francez, të cilit iu dha detyra sot paradite nga presidenti i ri i Francës, Nikolas Sarkozì. Nesër paradite, Fijon do të bëjë të ditur skuadrën e ministrave të qeverisë së tij. Gjithsej 15 ministra, prej të cilëve gjysmat gra, me misionin që të fillojnë menjëherë punë e të japin llogari për rezultatet. Do të jetë një qeveri e të gjithë francezëve, siç deklaroi Sarkozì, ku do të ketë edhe ministra të qendrës dhe të së majtës. Duket i sigurtë emërimi i administratorit të parë ndërkombëtar të Kosovës dhe themeluesit të “Mjekëve pa kufi”, socialistit Bernar Kushner në postin e ministrit të jashtëm.

Irani dhe SHBA-të do të zhvillojnë bisedime në nivelin e ambasadorëve më 28 maj në Irak. Në qendër të vëmendjes, siguria në vend. Ndërkaq, në Irak, një seri atentatesh e luftimesh ka karakterizuar ditët e fundit. Sot paradite është sulmuar një urë ku janë vrarë dy civilë. 30 janë trupat pa jetë të gjetur në Bagdad gjatë 24 orëve të fundit.

Algjeria rinovon Dhomën e Ulët të Deputetëve nën kërcënimin e Al Kaidës. 18 milion algjerianë u janë afruar sot kutive të votimit për të zgjedhur 389 deputetët e Asamblesë popullore kombëtare. Kandidatët e 24 partive dhe 102 listave të pavarura janë 12 mijë. Por mbi konsultimin e sotëm shtrihet hija e Al Kaidës, e cila ka bërë thirrje të bojkotohen zgjedhjet.

Pas 56 vjetëve, rifilluan sot lidhjet hekurudhore ndërmjet Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Ngjarja, transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni koreanojugur, ushqen shpresën për ribashkimin e dy vendeve. Binarët e trenit kalojnë në paralelin 38, zonën që ndan dy Koretë që nga lufta e Koresë, e cila përfundoi në vitin 1953 me shpalljen e armëpushimit. Gjithsesi, të dyja vendet akoma duhet të nënshkruajnë traktatin e paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.