2007-05-16 16:45:45

Sarkozì mori detyrën e presidentit të Francës


(16.05.07 RV)Nikolas Sarkozì mori sot zyrtarisht postin e presidentit të Francës, në një ceremoni që u mbajt në Elize. Tashmë, Sharl dë Goli i ri i Francës ndodhet në Gjermani për vizitën e parë zyrtare si president e për takimin me presidenten e turnit të Bashkimit Evropian, kancelaren Angela Merkel. Por sot, në shkallët e Elizeut, qe thellësisht i emocionuar ndërsa pritej nga Zhak Shirak. Ky i fundit i dorëzoi privatisht kodet sekrete të arsenalit bërthamor e më pas, në publik i dha medaljen e Legjionit të Nderit.
Sarkozì premtoi të mos i zhgënjejë francezët dhe të ndjekë kërkesën për ndryshime që vjen nga baza. Ndër përparësitë e nënvizuara, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lufta kundër ngrohjes globale. Nesër pritet që të shpallet përbërja e qeverisë së re me kryeministër Fransua Fijon. Ministër i jashtëm ka shumë mundësi të jetë Bernar Kushner, themeluesi i “Mjekëve pa kufi”, i cili ka qenë edhe në Kosovë.








All the contents on this site are copyrighted ©.