2007-05-16 16:45:36

Rehn në Serbi: gati për rihapjen e negociatave por bashkëpunoni me Hagën


(16.05.07 RV)Vojisllav Koshtunica është sërish kryeministër i Serbisë, me një qeveri që u votua mbrëmë në orën 23.30 nga parlamenti, gjysëm ore para skadimit të afatit, që do ta çonte vendin në zgjedhje të reja. Në fjalimin e Koshtunicës, para deputetëve, shumë Evropë e bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, por asnjë lëshim përsa i përket çështjes së Kosovës, e cila “do të jetë gjithmonë pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, bubulloi kryeministri. “Çdo shpallje e njëanshme e pavarësisë do të vlejë më pak se zero” i qetësoi ai serbët e Kosovës.
Ndërkaq, në një intervistë për Radion Eko të Moskës, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs deklaroi mbrëmë se “Kosova nuk do të jetë më pjesë e Serbisë, është e pamundur”: ishin fjalët e saj. Tani duhet parë se cili do ta fitojë këtë raund politik, Beogradi apo Uashingtoni.
Sot, ndodhet në Serbi, komisari evropian për zgjerimin Oli Rehn, i cili sqaroi se Brukseli është gati të rifillojë bisedimet e ndërprera me Serbinë, me kusht që kjo e fundit të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës.








All the contents on this site are copyrighted ©.