2007-05-16 16:45:55

Presidentit turk i skadon mandati. C'të ardhme për Turqinë?


(16.05.07 RV)Skadon zyrtarisht sot mandati i presidentit të Turqisë, Ahmet Nexhdet Sezer. Vendi është në fushatë elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 22 korrikut, të cilat janë thirrur pikërisht për shkak të pamundësisë së zgjedhjes së presidentit të ri në parlamentin aktual të kontrolluar nga partia filoislamike në pushtet, AKP. Gjithsesi, kjo parti arriti të kalojë në parlament reformën e Kushtetutës, në pjesën që i përket presidencës. Sipas projektit të ri, presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, por fjala e fundit i takon kreut aktual të Shtetit, Sezer, i cili mund ta hedhë poshtë propozimin. Të dëgjojmë të dërguarin e veçantë të gazetës italiane “Corriere della Sera”, Antonio Ferrari:
RealAudioMP3 Duke parë se do të shkohet drejt një boshllëku institucional, presidenti ka bërë të ditur se do të qëndrojë në postin e tij derisa të zgjidhet një kryetar i ri Shteti, me sistemin e vjetër apo me të riun. Nëse Sezer do t’i ruajë kompetencat e veta, mund ta hedhë poshtë kërkesën e parlamentit për të miratuar reformën për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit. Por Asambleja duhet të shpërndahet për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, prandaj çdo gjë mbetet e bllokuar.
Pse partia AKP e kryeministrit Erdogan kërkon zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit?
Sepse e di se sido që të shkojnë punët në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë vota, por në Parlament do të hyjnë edhe parti të tjera. Pra, AKP-ja do të ketë më pak vende e si pasojë, e vetme, nuk do të jetë në gjendje të zgjedhë presidentin e Republikës. Filoislamikët shpresojnë se me zgjedhjen e drejtpërdrejtë, Erdogan apo ndonjë tjetër mund të ketë sukses. Por kjo nuk u pëlqen as ushtarakëve, as laikëve të vendit.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.