(16.05.07 RV)Bosnja paraqiti kandidaturën për anëtarësim në Këshillin e Kombeve
të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Kandidatura e Bosnjës erdhi në momentin e fundit,
siç thuhet e nxitur nga vendet perëndimore, që të mos lejojnë anëtarësimin e Bjellorusisë,
e cila vlerësohet nga Uashingtoni si diktatura e fundit në Evropë.
Ka
arritur tashmë në 17 persona bilanci i viktimave në ndeshjet ndërmjet al Fatahut
dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Përpjekja për ta ulur tensionin, përmes një armëpushimi
të ri deklaruar gjatë natës nga kryeministri palestinez Hanijeh, qe e kotë. Ndeshjeve
sporadike u shtohen ndërhyrje të qëllimshme. Persona të armatosur kanë sulmuar shtëpinë
e kreut të sigurisë të Lëvizjes Fatah në Gazë, duke shkaktuar vdekjen e së paku gjashtë
rojeve. Si përgjigje ndaj raketave të hedhura në disa zona hebraike, aviacioni izraelit
ka bombarduar një pjesë të Rripit të Gazës. Që nga e diela, dita e fillimit të ndeshjeve,
janë vrarë 44 vetë. Presidenca e Bashkimit Evropian ka shprehur shqetësimin e saj
të thellë për gjendjen.
Masakër e re në Irak. Një kamion bombë me
klor shpërtheu në një fshat shiit në veri të Bagdadit. Sipas burimeve të policisë,
bilanci i përkohshëm flet për 45 viktima. Ndërkaq, shtatë persona të tjerë janë vrarë
në përleshjet ndërmjet militantëve të klerikut radikal Moktada al Sadr dhe forcave
irakiane të sigurisë, në Nasirija. Pesë nga të vrarët janë civilë, ndërsa dy të tjerë
janë ushtarë irakianë.
Majkëll Uiliams do të jetë kordinatori i veçantë
i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i
OKB-së, Ban Ki Mun. Uiliams do të koordinojë të gjitha aktivitetet e Kombeve të Bashkuara
në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ai ka punuar në ministrinë e jashtme britanike
dhe ka përvojë në zona konflikti, përfshirë Kamboxhian dhe ish-Jugosllavinë.