2007-05-16 18:10:17

Kisha, protagonistët dhe dëshmitarët e saj, në ciklin e katekizmit të Benediktit XVI gjatë audiencave të përgjithshme të vitit të fundit.


(16.05.2007 RV)RealAudioMP3 Siç kemi njoftuar, sot Papa nuk e mbajti katekizmin e zakonshëm të audiencës së përgjithshme të së mërkurës. E ne sot, në vend të audiencës, po kujtojmë se vitin e fundit Papa ia kushtoi katekizmin historisë së Kishës, duke folur për figurat e apostujve e pastaj për Etërit e saj, për të vënë kështu në dukje origjinën hyjnore të Kishës dhe lidhjen e ngushtë ndërmjet Jezusit e Atit qiellor.
Është mister bashkimi ai, që lidh Hyjin me njerëzit, mister që zbulohet në rrjedhë të historisë, shenjë e të cilit është Kisha. Këtë na e shpjegon Benedikti XVI në katekizmin e tij.
Me ciklin e audiencave të përgjithshme kushtuar përvojës së apostujve, më 15 marsin e vitit të kaluar, Papa kujtoi se “Kisha nisi të ndërtohej, kur disa peshkatarë të Galilesë takuan Jezusin e kur Krishti ua fitoi zemrat me shikimin e Tij, me zërin e Tij, me ftesën e ngrohtë e të fuqishme: “Ejani pas meje, do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”. Më pas shtoi:
“Në katekizmin që po filloj sot, dëshiroj të tregoj sesi drita e fytyrës së Krishtit pasqyrohet në fytyrën e Kishës”.
Kisha - shpjegoi Papa - është e ngritur mbi themelin e Apostujve si bashkësi feje, shprese e dashurie, pavarësisht nga kufizimet e nga hijet e njerëzve që i shërbejnë, me natyrë të brishtë e mëkatare si të gjithë njerëzit. Ati i Shenjtë vuri me forcë në dukje figurat e nxënësve, si dëshmitarë të zgjedhur nga Krishti, për të përhapur në botë të vërtetën e Ungjillit, por posaçërisht si gjymtyrë të një korpi të vetëm: “Misioni i tyre nuk është i izoluar, por vendoset brenda misterit të bashkimit, në të cilin merr pjesë mbarë populli i Zotit, mister që realizohet me etapa, duke nisur nga Besëlidhja e Vjetër deri tek e Reja (...) Prandaj, që nga çasti i parë i veprimtarisë së tij shëlbuese, Jezusi i Nazaretit përpiqet ta mbledhë Popullin e Zotit- tha Papa dhe në vijim nënvizoi: - Ndonëse predikimi i tij është gjithnjë thirrje për pendesë personale, Krishti në të vërtetë synon vazhdimisht në krijimin e popullit të Zotit, të cilin ka ardhur ta bashkojë e ta shëlbojë.
Jezusi zgjodhi 12 Apostujt që, së bashku me të, të ishin dëshmitarë e kumtues të Mbretërisë së Hyjit – shpjegoi Ati i Shenjtë i cili pastaj, gjatë gjithë vitit, përshkroi portretet e 12 Apostujve, duke u ndaluar tek tiparet kryesore, personaliteti e karakteristikat e veçanta të misionit të secilit prej tyre. Benedikti XVI u ndal posaçërisht në bashkimin e Kishës. “Kisha – komentoi Papa në audiencën e përgjithshme të 29 marsit 2006, pavarësisht nga të gjitha ligështitë njerëzore që i takojnë figurës historike të saj, shfaqet kështu si krijim i mrekullueshëm dashurie, i realizuar për ta bërë Krishtin të afërt me çdo burrë e çdo grua që dëshiron vërtetë ta takojë, deri në mbarim të kohëve.
E duke përshkuar, me katekizmin e tij shekujt, Benedikti XVI u shpjegoi besimtarëve rrënjët e krishterimit, u sqaroi mesazhin e dëshmitarëve të së kaluarës e u transmetoi edhe këtë mësim të çmuar:
“E në Kishë Zoti mbetet gjithnjë bashkëkohas me ne. Shkrimi Shenjt nuk është diçka që i përket së kaluarës, por flet për të sotmen. Edhe sot, gjithnjë me ne, na jep dritë, na tregon udhën e jetës, na bashkon e kështu na përgatitë, na hap rrugët e paqes”.
Ta bëjë të kuptueshëm për të gjithë planin e zanafillës të Jezusit, ta bëjë të kuptueshëm thelbin e Kishës, që mbetet e pandryshueshme nëpër ndryshimet e kohërave: ky është qëllimi i audiencave të përgjithshme të Atit të Shenjtë, përmes të cilave u shpjegon besimtarëve pse janë Kisha e si duhet ta jetojnë besimin e tyre, sidomos përballë vështirësive e pasigurive që nuk mungojnë në asnjë kohë:
“Eksziton gjithnjë rreziku që njeriu, për shkak të ngjarjeve të ndryshme të botës e të ligështive të Kishës, ta humbasë fenë, e kështu të humbasë edhe dashurinë e vëllazërimin. Prandaj është detyrë e të gjithë atyre që besojnë në Kishën e dashurisë e që dëshirojnë të jetojnë në të, ta njohin edhe këtë rrezik e të pranojnë edhe se bashkimi me ata që janë larguar nga doktrina e shëlbimit, është i pamundur”. Në vijim të katekizmit mbi historinë e Kishës, pasi përshkroi të Dymbëdhjetët, Benedikti XVI filloi, në marsin e këtij viti, një cikël të ri: atë të Etërve të Kishës të cilët, në shekujt e parë, themeluan letërsinë e krishterë e që me traktatet, veprat ekzegjetike e filozofike të tyre, dhanë një ndihmesë të shquar për kuptimin e Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.