2007-05-15 18:07:29

Dita e parë e punimeve të Konferencës së Aparesidës: fjalimi i kardinalit Peter Erdë, kryetar i ipeshkvijve evropianë.


(15.05.2007 RV)I lidh ngusht solidariteti e bashkimi Kishat latinoamerikane e ato evropiane, e kjo edhe për shkak të problemeve e të vështirësive të njëjta që u duhet të përballojnë. Këtë e vuri në dukje dje, në ditën e parë të Konferencës V të episkopatit latinoamerikan e karaibik, kryetari i Këshillit të Konferencave Episcopale të Evropës, kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Esztergom-Budapestit, në fjalimin e mbajtur gjatë punimeve. Në Evropë - tha kardinali Erdë – shumkush e shikon me shpresë e respekt botën latinomaerikane, Kontinentin e ri, që ruan vlera fetare stërgjyshore shumë të forta. Hirësia tij shpjegoi se në Kontinentin e vjetër janë të shumta institucionet shoqërore të cilat, sipas opinionit të zakoshëm, lidhen me rendin natyror të dashur nga Krijuesi, që duket se po e humbasin rëndësinë e po refuzohen nga ana e jo pak evropianëve. Kardinali Erdë i shprehu edhe solidaritet episkopatit latinoamerikan e karaibik për faktin se Evropa jeton situata të ngjashme me ato që karakterizojnë Amerikën Latine. Në shoqëritë evropiane e në jetën publike, disa koncepte, duke përfshirë edhe disa të drejta njerëzore, të shpallura në epokën e Iluminizmit, duket se po e humbasin kuptimin e zanafillës – tha kardinali e, në disa raste, detyrohen t’ia lëshojnë vendin të ashtuquajturave ‘të drejta të njeriut të breznisë së tretë”. Kryetari i Konferencave Episkopale të Evropës shtoi se, njëkohësisht, ndryshimet politike që ndodhen para 17-18 vjetëve, si përfundimi i ndarjes artificiale të Kontinentit evropian në dy pjesë, në dy sisteme, krijoi kushtet për një seri përvojash të thella, posaçërisht për të krishterët. Në këtë kuptim – vijoi kardinali Erdë – shumë historianë latinoamerikanë dhe evropianë, vërejtën disa të përbashkëta ndërmjet situatës sociale e kulturore të dy skajeve të botës perëndimore. Ne – vijoi kryeipeshkvi i Esztergom-Budapestit, në sa kujtonte realitetin e Amerikës Latine – ngushëllohemi shumë duke parë fenë e vëllezërve e motrave, duke njohur përpjekjet e tyre, përvojën e tyre në veprimtarinë për të përballuar vështirësitë e sfidat e botës së sotme me frymë vërtetë të krishterë. Kardinali e përfundoi fjalimin me fjalët: “T’i lutemi Zotit të na ndihmojë për t’i qëndruar besnikë trashëgimisë katolike që kemi marrë, vetë Jezu Krishtit, në mënyrë që, të gjithë së bashku, të ndriçuar nga Shpirti Shenjt, të mund të gjejmë rrugët për t’i përballuar krishterisht vështirësitë e botës aktuale”.







All the contents on this site are copyrighted ©.