2007-05-14 18:01:37

Save the children: Nënat shqiptare më të pambrojturat


(14.05.07 RV)Shqipëria bën pjesë në 14 vendet me vdekshmëri më të madhe të fëmijëve nën 5 vjeç, ndër vendet e zhvilluara të botës, ku përfshihen edhe SHBA-të. Në një raport, me rastin e Ditës Botërore të Nënës, e cila u festua dje, organizata ndërkombëtare “Save the children” (Sejv dhë çildrën) vë në dukje gjendjen e nënave dhe fëmijëve nën 5 vjeç në botë. Shqipëria renditet ndër vendet më të zhvilluara, por në bisht të tyre. Përsa i përket indeksit që tregon mirëqënien e nënave me fëmijë, ku merren parasysh disa elementë, si shëndeti, ushqimi, arësimi, statusi ekonomik dhe politik, Shqipëria renditet në vendin e 41, ndër 41 vendet e marra parasysh në kategorinë e vendeve të zhvilluara. Raporti vë në dukje dhe se 78% e fëmijëve përfundojnë shkollën e detyruar 8-vjeçare dhe se pjesëmarrja e grave në politikë është shumë e ulët. Në qeverinë shqiptare, vetëm 7% e posteve zihet nga gratë, përkundrejt 47% të vendeve në Suedi, për shembull. Në Shqipëri nënat me lejen e lindjes marrin 80% të pagës, ndërkohë që në mjaft vende të zhvilluara pagesa është deri në 100 %.


Shqipëria është një ndër 8 vendet që përfshihen në një projekt pilot të Kombeve të Bashkuara, i quajtur “ONE UN” (Uan JuEn). Kryeministri Berisha dhe kryetari i grupit te Kombeve të Bashkuara për zhvillimin, njëkohësisht administrator i Programit për Zhvillimin, PNUD, Kemal Dervish kanë paraqitur sot sëbashku këtë projekt. Nisma ka për qëllim hartimin e programeve strategjike që realizojnë një bashkëpunim më të mirë ndërmjet OKB-së dhe Tiranës.







All the contents on this site are copyrighted ©.