2007-05-14 17:42:06

Në Aparesida Benedikti XVI ftoi të vihet në qendër të jetës Jezu Krishti, për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, duke iu shmangur gabimeve shkatërrimtare të marksizmit e të kapitalizmit.


(14.05.2007 RV)Dje paradite, dy orë pas Meshës para Shenjtërores së Aparesidës, gjatë kremtimit të lutjeve mbrëmësore, Benedikti XVI hapi, me një fjalim magjisterial, Konferencën V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik.
Në përshëndetjen e tij, kryetari i Konferencës së episkopatit të Amerikës Latine e të Karaibeve (CELAM) kardinali Françisko Havier Errazuriz Osa, e siguroi Atin e Shenjtë se të gjithë do të impenjohen për t’i dhënë një hov të ri misionar Kishës së Kontinentit, në të cilin jeton thuajse gjysma e katolikëve të mbarë botës.
Nga ana e tij, Ati i Shenjtë i dhuroi kardinalit një triptik të shkëlqyer, që kishte në qendër Ngjitjen e Zotit në qiell, ndërsa në të dy anët, Jezusin me nxënësit e vet dhe figurën e Shën Huan Diegos së Guadalupes.
Por, të kthehemi përsëri tek fjalimi më i rëndësishëm i Benediktit XVI, ai i hapjes së Konferencës ipeshkvnore latinoamerikane e karaibike. Nga Aparesida – i dërguari i posaçëm i Radios sonë, Alesandro Gjizoti:
“Ungjillëzimi i ri, çështja sociale, tema e veprimtarisë misionare në gjurmët e nxënësve të Krishtit, por edhe mbrojtja e familjes, puna baritore me rininë, roli i shekullarëve... Në fjalimin drejtuar Konferencës ipeshkvnore të Amerikës Latine e të Karaibeve, Benedikti XVI preku të gjitha pikat kyçe të problemeve, me të cilat do të ndeshet Kisha e këtij Kontinenti në vitet e ardhshme. Mbi të gjitha, Papa kujtoi se është takimi me Krishtin në Eukaristi, qendër e jetës së krishterë, që e nxit impenjimin e ungjillëzimit dhe i jep shtytje solidaritetit.
Sólo de la Eucaristía brotará la civilización del amor…
“Vetëm nga Eukaristia – tha Papa – do të bulojë qytetërimi i dashurisë, që do ta shndërrojë Amerikën Latine aq, sa të bëhet jo vetëm Kontinent i shpresës, por edhe Kontinent i dashurisë!”.
Besimi në Zotin – vijoi Ati i Shenjtë – e ka gjallëruar jetën dhe kulturën e këtyre vendeve. Prandaj besimtarët katolikë duhet të bëhen gjithnjë më të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre si “nxënës e misionarë të Krishtit”.
Pues ser discípulos y misioneros de Jesucristo…
“Të jesh nxënës e misionar i Jezu Krishtit”- vërejti Shenjtëria e Tij – do të thotë t’i kesh rrënjët në Të”. Por – vijoi të shpjegonte Papa - ta vësh Krishtin në qendër të jetës, nuk do të thotë të largohesh nga problemet e mëdha ekonomike, shoqërore e politike të Amerikës Latine, për t’u mbyllur plotësisht në botën shpirtërore. Nënvizoi, më pas, gabimin e madh të prirjeve që mbisunduan shekullin e fundit, gabim shkatrrimtar, siç e tregojnë pasojat si të sistemeve marksiste, ashtu edhe të atyre kapitaliste. Vetëm ai që pranon Zotin – shtoi Papa – mund të japë përgjigje të përshtatshme e realisht njerëzore.
Benedikti XVi u ndal edhe tek problemet shoqërore të Amerikës Latine:
Los pueblos latinoamericano y caribeños tienen drecho a una vida plena…
“Popujt e Amerikës Latine e të Karaibeve” – tha Papa Racinger – kanë të drejtë ta jetojnë plotësisht jetën e tyre, të lirë nga kërcënimet e urisë e të çdo forme të dhunës. E, që kjo të bëhet realitet, duhet të hyjnë në rrugën e zhvillimit të vërtetë që e kufizon pabarazinë e madhe shoqërore. Por, si mund t’i përgjigjet Kisha sfidës së varfërisë? – pyeti Papa. Kapitalizmi e marksizmi – vijoi të theksonte – premtuan se do ta gjenin rrugën për krijimin e strukturave të drejta. Por koha tregoi se ky premtim ideologjik, ishte i rremë. E të njëjtën gjë shikojmë edhe në perëndim, ku vijon të thellohet hendeku ndërmjet të varfërve e të pasurve. Atëherë janë të nevojshme vlerat universale por, në se mungon Zoti – vërejti Shenjtëria e Tij - këto vlera e humbasin një pjesë të mirë të forcës së tyre. E këto fjalë u pasuan nga një reflektim:
Si la Iglesia comenzara a transformarse directamente en sujeto politico…
“Në se Kisha do të shndërrohej në subjekt politik , nuk do të bënte më shumë për të varfërit e për drejtësinë, por do të bënte më pak, sepse do ta humbiste pavarësinë dhe autoritetin moral, duke u njëjtësuar me një rrugë politike e me një pozicion të pjesshëm e të diskutueshëm. Kisha – shtoi Benedikti XVI – është avokate në mbrojtje të drejtësisë të të varfërve, pikërisht sepse nuk identifikohet me politikanët e as me interesat partijake. Vetëm duke qenë e pavarur, mund t’i orientojë ndërgjegjet dhe të ofrojë opcione jete, që i kapërcejnë caqet e fushës politike.
Familja, pasuri e njerëzimit – vijoi të nënvizonte Ati i Shenjtë - përbën një nga thesaret më të rëndësishme të vendeve latinoamerikane. Fjalimi plot pasion e hollësira i Papës Racinger, përfundoi me një thirrje prekëse: “Rri, o Zot, me ata që, në shoqëritë tona, janë më të ligshtit; rri me të varfërit e me të përvujtët, me indianët e afroamerikanët. Rri, o Zot, pranë fëmijëve e të rinjve, që janë shpresa e pasuria e Kontinentit tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.