2007-05-14 17:55:07

Kondolica Rajs në Moskë përpiqet të bindë Rusinë për Kosovën


(14.05.07 RV)Sekretarja amerikane e shtetit Kondolica Rajs ndodhet sot në Moskë për të bindur Rusinë që të mos vendosë veton kundër rezolutës për statusin e Kosovës. Rajs takohet me ministrin e jashtëm Sergei Lavrov dhe me presidentin rus Vladimir Putin. Vizita kryhet në një kohë kur tensioni ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës është i lartë. Sipas analistëve, mund të gjendet një kompromis për çështjen e Kosovës, pasi Moska nuk dëshiron t’i acarojë edhe më tepër marrëdhëniet me perëndimin. Këtë javë do të zhvillohet në Samara, mbledhja BE – Rusi, ku do të diskutohet edhe për Kosovën.


U mblodhën sot në Bruksel shefat e diplomacisë të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kryesisht ata folën për Irakun, por edhe për çështjen e Kosovës. Në qendër të vëmendjes, misioni i ardhshëm i Bashkimit Evropian në Prishtinë. Në këtë kuadër, do të takohen më pas edhe ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së, që do të diskutojnë për aspektin e sigurisë dhe të misionit policor në Kosovë, pas zgjidhjes së statusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.