Atë Lombardi komenton fjalimin e Papës në hapje të Konferencës së Aparesidës.
(14.05.2007 RV)Benedikti XVI diti t’u fliste barinjve të Kishës braziliane
me tone të larta shpirtërore e, njëkohësisht, të mishëruara thellësisht në kohët e
vendet aktuale të Kontinentit latinoamerikan – komenton drejtori i Sallës vatikanase
të Shtypit dhe i Radios sonë, Atë Federiko Lombardi: Përgjigje: -
Papa e përqëndroi fjalimin, duke u nisur nga komentimi i Ungjillit, që është dashuri
dhe nga jeta e Kishës, në të cilën ky kumtim konkretizohet, kultivohet e përhapet.
Por mund të themi se fjalimi i Papës nuk ishte aspak spiritualist, i shkëputur nga
realiteti e nga bota rrethuese. E kjo, sepse nga ai pritej përgjigje për problemet
e mprehta, që kanë të bëjnë me përballimin, në këndvështrimin e krishterë, të sfidave
lidhur me padrejtësitë e mëdha e me mungesën e ekuilibrit në këtë Kontinent. Janë
sfida të cilat nuk kanë munguar edhe në të kaluarën e nuk mungojnë as sot e kësaj
dite e që shpesh burojnë nga ideologjitë e ndryshme: nga njëra anë, nga liberalizmi
materialistik; nga ana tjetër, nga marksizmi. Papa u përgjigj me një fjalim jashtëzakonisht
të peshuar e të thellë, duke dalluar detyrën e kumtimit nga ana e Kishës nga detyra
e impenjimit të drejtpërdrejtë politik e duke bërë që të gjithë ta kuptojnë mirë
se Kisha propozon vlera, jep vizionin edhe fetar, të njeriu e të realitetit, gjë që
është themelore, sepse kështu nuk reduktohet thjeshtë në vizion material e, prej këndej,
nuk shkohet për t’i kërkuar rrugëzgjidhjet në realitete të pjesshme e me pasoja negative.
Vlerat e dashurisë e të drejtësisë, që mbart Ungjilli e kumtimi i Kishës, i ndihmojnë
ata, të cilët impenjohen edhe për krijimin e strukturave të karakterit shoqëror, ekonomik,
politik; ndihmojnë edhe për sigurimin e një drejtësie gjithnjë më të madhe, për t’i
gjetur në realitet e në histori rrugëzgjidhjet që janë të arsyeshme, që janë korrekte,
që e kanë vërtetë parasysh njeriun në tërësinë e tij. Pyetje: - Në këtë
kuptim, Papa bëri edhe një thirrje gjatë fjalimit të tij. Tha: ‘Kisha nuk merr pjesë
drejtpërdrejtë në politikë, por është avokate në mbrojtjen e drejtësisë të të varfërve”.
E ftoi edhe për ta mbushur zbraztësinë e ndjeshme për udhëheqës katolikë me personalitet
të fuqishëm në fushën e politikës. Përgjigje: - Po, detyrë karakteristike
e laikëve është pikërisht ajo e shndërrimit të botës, duke e bërë më të drejtë, më
njerëzore, të aftë për t’iu përgjigjur kërkesave të bashkëjetesës, plot respekt për
të gjithë, me frymën e harmonisë e të drejtësisë ndërmjet të gjithë anëtarëve të shoqërisë.
Kjo u nënvizua me forcë të veçantë në atë pjesë të fjalimit që Papa ia kushtoi rolit
të laikëve, të cilët i ftoi të impenjohen me përvujtëri, por edhe me guxim, në fushat
ku përfaqësues të ideologjive ose prani armiqësore që i kundërvihen shpirtit të krishterë
– janë shpesh herë tepër të forta. Kështu ndjehet mungesa e pranisë autoritare të
njerëzve që e njohin mirë zanatin e tyre e që, duke qenë të aftë në fushën politike
e shoqërore, frymëzohen jo vetëm nga arsyja, por edhe nga Ungjilli. Pyetje:
- Gjithnjë në fjalimin e fundit, Papa, duke folur për ungjillëzimin, theksoi faktin
se ungjillëzimi nuk mund të veçohet nga ndihma shoqërore, nga ndihma që u duhet dhënë
të varfërve. Pikë me rëndësi të dorës së parë edhe kjo….Përgjigje: - Sigurisht.
Kjo është shumë karakteristike në kumtimin e Kishës. Ka dy përmasa që nuk mund të
ndahen. Pastaj, janë edhe dy urdhërime themelore: urdhërimi për të dashur Zotin e
urdhërimi për të dashur të afërmin, që pastaj pasqyrohen edhe në qëndrimin e Magjisterit
lidhur me jetën e krishterë. Magjisteri tregon në ç’rrugë duhet të ecë njeriu, për
të ruajtur marrëdhënie korrekte me Zotin e për ta bërë realitet bamirësinë, dashurinë
për të tjerët, në një mënyrë të tillë, që të ndikojë mbi botën ku jetojmë, duke ndërtuar
një shoqëri në të cilën krijohen kushte më të mira jetese dhe mundësi për zhvillimin
e plotë njerëzor e shpirtëror të të gjithëve.