2007-05-13 18:15:17

Kisha është shtëpia jonë – tha Benedikti XVI në Shenjtëroren e Aparesidës.


(13.05.2007 RV)RealAudioMP3 Po kthehemi tek dita e djeshme, e shtunë 12 maj. Pasi drekoi me kryesinë e Konferencës V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik, Benedikti XVI i priu Rruzares Shenjte në Shenjtëroren mariane të Aparesidës, në praninë e mijëra besimtarëve. Këtu Papën e përshëndeti kryeipeshkvi i Aparesidës, imzot Raimundo Damasheno Asiz, i cili i dhuroi Atit të Shenjtë një miniaturë të Shenjtërores. Papa ia kushtoi homelinë kryesisht priftërinjve e rregulltarëve, të cilët i porositi të frymëzohen nga mësimet e Virgjërës Mari, duke u përpjekur ta ndriçojnë zemrën me dritat që Ajo na dërgon nga qielli.
Pastaj Benedikti XVI dëshmoi rishtas dashurinë e tij për Kishën në Amerikën latine:
O Papa vos ama! O Papa vos sauda afetuosamente!
‘Papa ju do! –tha Ati i Shenjtë, i ndërprerë nga një shpërthim duartrokitjesh. ‘Papa ju përshëndet nga gjithë zemra, lutet për ju e, në mënyrë të posaçme, për lëvizjet dhe realitetet e reja kishtare, që dëshmojnë rininë e përhershme të Kishës. Më pas vijoi të flasë për sfidat para të cilave ndodhen meshtarët latinoamerikanë:
Quantos desafios, quantas situacoes…
“Sa sfida” – pohoi – sa situata të vështira, sa bujari e sa flijime: besnikëria në ushtrimin e shërbimit meshtarak, jeta e lutjes, kërkimi i shenjtërisë e akoma, dhurimi i plotë në shërbim të Zotit, jeta e shkrirë në mbrojtje të drejtësisë e të solidaritetit. Gjithë kjo – nënvizoi Papa, i flet fuqimisht zemrës sime prej bariu. Benedikti XVI pohoi më pas se dëshmia e meshtarisë e jetuar mirë, e fisnikëron Kishën, është shembulli më i shkëlqyer për thirjet e reja, ftesa më e bukur që u drejtohet të rinjve për të ndjekur rrugën e meshtarisë, duke iu përgjigjur kështu me gjithë zemër thirrjes së Zotit. Ati i Shenjtë përsëriti ftesën për një hov të ri të ungjillëzimit, të gjallëruar nga zelli misionar. Më pas vuri theksin mbi kuptimin e përkatësisë në Kishë:
La Iglesia es nuestra casa! Esta es nuestra casa!
“Kisha është shtëpia jonë! – pohoi. Kjo është shtëpia jonë!” Në Kishën katolike – shtoi – gjejmë gjithçka është e mirë, gjithçka na bën të ndjehemi të sigurtë e të lehtësuar. E akoma: ia vlen të jesh besimtar, ia vlen ta ruash fenë tënde. Nga ana tjetër – kujtoi Papa – koherenca në fe kërkon edukim doktrinor e shpirtëror, gjë që kontribuon edhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më njerëzore, më të krishterë.
Diakonët e seminaristët Papa i porositi ta kenë gjithnjë parasysh figurën e Krishtit, Bariut të Mirë. Prej këndej, ftesa për të qenë si diakonët e parë të Kishës: njerëz me emër të mirë, përplot me Shpirtin Shenjt, me urti e fe. Deri këtu e ndoqëm Atin e Shenjtë për sonte. Ju ftojmë të mos mungoni në takimin e nesërm, për t’u njohur me veprimtaritë e fundit si dhe me një përmbledhje të këtij shtegtimi plot entuziazëm e optimizëm të Papës në Kontinentin e shpresës.







All the contents on this site are copyrighted ©.