2007-05-12 18:03:52

“Dinjiteti i njeriut nuk mund të shkelet”: Papa viziton”Familjen e shpresës’ për të rinjtë e droguar e të alkoolizuar”.


(12.05.2007 RV)RealAudioMP3 Pas takimit me rregulltaret klarise të klauzurës, Papa doli në fushën e sportit, ku e priste e gjithë bashkësisa. Gjatë takimit u ndoqën dëshmitë e të rinjve, të gërshetuara me pjesë muzikore e artistike.
Para se të thuhej Atyna, themeluesit e “Fazendës” i dorëzuan Papës një vëllim me titull “Da Esquina para o Mundo” (“Nga lagjja - në botë”) si dhe shumë dhurata nga të rinjtë e ‘Familjeve të shpresës’ të Azisë, Afrikës, Amerikës Qëndrore, Amerikës Latine e Brazilit. Pak pasi të miturit e rrugës i dhanë Papës ‘unazën e solidaritetit’, Benediktin XVI e përshëndeti, në emër të të pranishmëve, themeluesi i veprës, françeskani Atë Hans Stapel.
Papa iu përgjigj me një fjalim të shkurtër, përmes të cilit theksoi:
“Kisha e sotme duhet të gjallërojë në vetvete vetëdijën e detyrës, për t’i ripropozuar njerëzimit zërin e Atij që tha: “Unë jam drita e botës: kush më ndjek mua, nuk ecën në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”. Më pas shtoi se misioni i Papës është ta ruajë këtë dritë, që të mos shuhet, por të ndriçojë shpirtrat në kërkim të mirësisë e të paqes, të cilën bota nuk mund ta japë”.
Ati i Shenjtë vuri theksin edhe mbi temën tepër të rëndësishme të lirisë individuale:
“Hyji – shpjegoi Benedikti XVI– nuk detyron, nuk e ndrydh lirinë individuale; kërkon vetëm hapjen e asaj shenjtëroreje, që është ndërgjegja jonë, përmes së cilës përshkohen të gjitha dëshirat më të fisme, por edhe ndjenjat e pasionet e çrregullta, që e errësojnë mesazhin e të Tejetlartit”.
Por – u tha Papa të rinjve - vjen një çast në jetë, kur Jezusi troket butësisht në thellësinë e zemrave, që janë gati të hapen. Troket me dorën e një miku a të një meshtari, duke ju krijuar mundësitë për shërimin fizik e shpirtëror, me rëndësi jetike për ju e për familjarët tuaj. E, si të jeni shëruar, shoqëria pret ta mësoni që ta vlerësojë pasurinë e madhe të shëndetit – porositi Papa, i cili në vijim u drejtoi të pranishmëve në takim ftesën:
“Ju duhet të jeni ambasadorët e shpresës!” Statistikat tregojnë se Brazili dhe gjithë Amerika Latine kanë një numër tepër të madh të droguarish. Prandaj u them trafikantëve të drogës të mendojnë mirë për të keqen që po bëjnë e të mos harrojnë se Zoti do t’u kërkojë llogari, sepse dinjiteti i njeriut nuk mund të nëpërkëmbet në këtë mënyrë!”.
Ftesë me vlerë të madhe aktuale e përgjithësuese që, duke dënuar vesin, i hap rrugën e shërimit të gjithë atyre që vuajnë në korp e në shpirt nga sëmundjet e rënda të shekullit, por që nuk duhen kosideruar kurrë si njerëz të humbur e pa rrugëdalje. Përmes terapisë, që përfshin ndihmën mjekësore, psikologjike e pedagogjike, por edhe përmes lutjes, punës së dorës e disiplinës – nënvizoi plot shpresë Papa – shumë njerëz, e posaçërisht të rinj, kanë arritur të çlirohen nga vartësia e drogës dhe e alkoolit, duke rifituar kuptimin e jetës.
Prandaj në përfundim Benedikti XVI e vlerësoi lart këtë Vepër, që ka si themel shpirtëror karizmën e Shën Françeskut e përshpirtërinë e Lëvizjes së Fokolarëve.
Në orën 17. 45 me orën evropiane – 11. 45 me orën vendase, Papa u largua nga Guaratingueta për t’u rikthyer në Seminarin e “Krishtit të mirë” në Aparesida ku drekoi me anëtarët e Presidiumit të Konferencës V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik dhe me anëtarët e grupit që e shoqëron. Ndërsa ne kemi përfunduar transmetimin tonë, rreth orës 22. 45 me orën evropiane, Papa do të shkojë në Shenjtëroren e Aparesidës për thënë Rruzaren Shenjte e për t’u takuar me priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret.







All the contents on this site are copyrighted ©.