2007-05-12 18:41:57

Shenjtërorja e Aparesidës ku Papa do të hapë Konferencën V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik.


(12.07.07.RV)Nesër, më 13 maj, Benedikti XVI do hapë Konferencën V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan dhe karaibik në Aparesida, seli e Shenjtërores mariane më të vizituar të Amerikës Latine. Historia e Zojës së Aparesidës nis që nga viti 1717, pas një peshkimi të mrekulleshëm në lumin Paraiba. Pas dy përpjekjeve të pafrytshme për të zënë peshk, tre peshkatarë gjejnë ndër rrjeta një shtatore pa kokë të Zojës së Bekuar. Hedhin rishtas rrjetat e i nxjerrin përplot me peshk. Ndërmet peshqve, gjejnë edhe kokën e Shtatores. Zoja vendoset në shtëpinë e njerit prej tyre, ku rri 15 vjet e ku mblidhen besimtarët për të thënë së bashku Rruzaren Shenjte. Devocioni përhapet me shpejtësi, me të edhe hiret, e aty, më 1737 ngrihet Kapela e parë, ndërsa më 1834, nis ndërtimi i Bazilikës së vjetër. Që nga viti 1894 kujdesi baritor në katedrale i besohet redentoristëve. Zoja e Aparesidës kurorëzohet më 1904.
Më 1929 Zoja shpallet nga Papa Piu XI “Mbretëreshë e Pajtore e Brazilit.
Për një reflektim mbi rëndësinë që ka Shenjtërorja për besimtarët brazilianë, intervistuam kryeipeshkvin e Aparesidës, imzot Raimondo Damasheno Asiz:
Përgjigje: - Kjo është Shenjtërore tepër e rëndësishme për Kishën e Brazilit e edhe për Kishën e Amerikës Latine, madje mund të themi se ka mundësi të jetë shenjtërorja më e vizituar në botë. Aparesida është një qytet i vogël me 35 mijë banorë, që pret çdo vit 8 milionë shtegtarë. Çdo javë Shenjtërorja vizitohet nga 250 mijë shtegtarë: mund të themi, prandaj, se është një qëndër tepër e rëndësishme për ungjillëzimin. Kujdesi baritor i Shenjtërores i është besuar etërve redentoristë. Aty kemi edhe një strukturë komunikimi mjaft të mirë. Kemi një qendër televizive e një tjetër radiofonike të fuqishme; kemi edhe një revistë. Kjo e bën Shenjtëroren një qendër të mirëfilltë të ungjillëzimit me ndikim të fuqishëm në mbarë Brazilin. Papa e zgjodhi këtë Shenjtërore për Konferencën V të episkopatit, ndoshta edhe për t’ia besuar Zojës së Bekuar punimet e kësaj Konference. Për ne, Zoja e Bekuar është model i nënës, por edhe model i nxënëses misionare për të gjithë të krishterët.
Pyetje: - Në të vërtetë Konferenca do të mbahet pikërisht nën shenjën e Marisë, duke pasur parasysh se nesër Kisha kremton Zojën e Fatimes. Ç’mund të na thoni për divocionin marian të brazilianëve?Përgjigje: - Devocioni marian është karakteristikë e besimit të brazilianëve. Mund të themi se katolicizmi brazilian, por edhe ai latinoamerikan, ka tri karakteristika: devocionin eukaristik: praninë e Krishtit në Eukaristi; devocionin ndaj Atit të Shenjtë si pasardhës i Shën Pjetrit e Vikar i Krishtit dhe devocionin për Zojën e Bekuar. Edhe në Brazil devocioni për Zojën e Fatimës është shumnë i madh, prandaj është një ditë e veçantë për të gjithë neve. Në Brazil, e diela e dytë e muajit maj i është kushtuar nënave.







All the contents on this site are copyrighted ©.