2007-05-12 19:24:06

Bekimi i Kishës së re, kushtuar “Nënës së Këshillit të Mirë” në Proto-Romano të Durrësit


(12.05.07 RV) )E shtuna më 14 prill 2007, ishte një ditë e paharrueshme për gjithë fshatin e Porto Romanos që ndodhet në periferi të qytetit të Durrësit. Arsyeja ishte bekimi i kishës së re, kushtuar “Nënës së Këshillit të Mirë”. Kjo kishë ndodhet mbi një kodër afër zonës ku mendohet se ka kaluar shën Pali dhe afër repartit ushtarak ku kanë qenë vrarë shumë persona gjatë komunizmit, ndër ta një prift katolik. Komuniteti katolik i kësaj zone ka pritur për shumë kohë për të pasur një kishë të tij. Familjet katolike të këtij fshati kanë pasur të drejtë për të qenë të kënaqur që më në fund ëndrra e tyre është realizuar.


Për këtë rast ka ardhur arqipeshkvi i Tiranë-Durrës, Shkëlqesia e tij Mons. Rrok Mirdita, që ka bekuar kishën e re pa mbushur akoma një vit nga vënia e gurit të parë. Kanë bashkëkremtuar edhe katër vëllezër dominikanë nga Durrësi, priftërinj të tjerë, shumë motra që veprojnë në famullinë e tyre, zonja Primrose Peakcock, anglikane, bamirësja kryesore, që ka menduar për financimin e projektit dhe Tommy Norton, gazetar i një riviste katolike The Tablet, që është duke menduar të shkuajë një artikull rreth kësaj ngjarjeje.


Mesha ishte e thjeshtë, e gjallëruar nga kori i vendit. Besimtarët ishin të shumtë dhe mund të viheshin re fëmijët, të rinjtë, të moshuarit që të gjithë së bashku kanë ardhur për të lavdëruar Zotin për dhuratën që u ka bërë: shtëpinë e tij të re në fshatin e tyre. Sigurisht kjo kishë do të jetë e nevojshme për bashkësinë katolike në Porto Romano në të ardhmen. Bashkë me këtë kishë po ndërtohen edhe disa dhoma që do të përdoren për katekizën, takime etj. Por nuk mungon as kambanorja që është zbukuruar me një kambanë të vogël për të thirrur njerëzit në meshë të dielën, ditën e Zotit.


Etërit dominikanë në Durrës bashkë me motrat e Nënë Terezës do të vazhdojnë të japin shërbimin e tyre në Porto Romano, që bashkësia katolike të rritet dhe të forcohet në Emër të Zotit.






Etërit dominikanë – Durrës
03.05.2007








All the contents on this site are copyrighted ©.