2007-05-11 17:53:28

Papa shpalli shenjt Frei Galvao, shenjti i parë Brazilianë, njeri i paqes dhe mbrojtës i të varfërve.


(11.05.2007 RV)RealAudioMP3 Sot Papa shpalli shenjt Frei Galvao-n, shenjti i parë i lindur në Brazil, njeri i paqes e mbrojtës i të varfërve. Frei Galvao, françeskan, jetoi ndërmjet viteve 1700 e 1800: ishte njeri i paqes e i bamirësisë. I dashur nga të gjithë për impenjimin e tij në favor të të varfërve e të emigrantëve, kalonte orë e orë në rrëfyestore, në sa qendra e jetës së tij ishte Eukaristia. Për ta njohur nga afër figurën e Shenjtit më të ri të Kishës katolike, të ndjekim intervistën e postulatores të Çështjes së Shenjtërimit, rregulltares Selia Kadorin, që na flet nga Kuvendi “da Luz”, ndërtuar nga Shenjti e përfshirë nga UNESCO në listën e trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Përgjigje: - “Për mua ai është dashuria e Zotit. Autoritetet e San Paolos në vitin 1798 e quajtën njeri i paqes e i dashurisë së krishterë. I paqes, sepse të gjithë dëshironin të rrëfeheshin me të, nga që kishte dhantinë të lexonte zemrat. Bënte rrugë tepër të gjatë, për të arritur me kohë në rrëfyestore, ndërsa për të siguruar paqen në familjet e për t’i ngushëlluar, shkonte natën e ua paguante borxhet, posaçërisht skllevërve, me të cilët e bëri këtë kuvend. Qe i ëmbël e i mirë me të gjithë, posaçërisht me të varfërit e të sëmurët. Kërkonte të zgjidheshin infermieret më të mira, më të ëmbla, më gazmore. Duhet theksuar edhe kjo, sepse po të shkosh tek i sëmuri me fytyrë të vrenjtur, e bën edhe më të sëmurë se është. Prandaj është mirë të mos harrohen edhe këto gjëra të vogla”.
Mbi rëndësinë që ka për Brazilin Shenjtërimi i Frei Galvaos, të ndejkim kardinalin Klaudio Humes, prefekt i Kongregatës për Klerin, kryeipeshkëv nderi i San Paolos, në mikrofonin e radios sonë:Përgjigje: - Gjithë brazilianët, edhe ata që nuk janë katolikë, ndjehen të lumtur e krenarë për këtë kanonizim. Por duhet theksuar se, në veçanti, janë të lum katolikët, sepse është shenjti i parë i lindur në Brazil. Ne kemi Shën Paolinën e edhe kjo na bën të lumtur. Por shenjtorja është italiane, ndonëse e kaloi gjithë jetën në Brazil ku themreloi Kongregatën e saj. Ndërsa Frei Galvao është shenjti i parë vendas. Kemi edhe çështje të tjera Shenjtërimi në zhvillim e sipër në Vatikan, që kanë të bëjnë me brazilianë, siç është çështja e martirëve të Verilindjes së Brazilit. E kjo për Kishën në Brazil është shumë e rëndësishme, sepse kështu shihen qartë frytet e ungjillëzimit. Në kulturën katolike latinomaerikane e braziliane, shenjtorët kanë një vend shumë të rëndësishëm. Kuptohet se ne nuk adhurojmë shenjtorët, por Hyjin. Gjithsesi për njerëzit tanë, shenjtorët kanë një rëndësi tepër të madhe, sepse janë ndërmjetës pranë Zotit. Të gjithë e dimë se gjithçka vjen nga Hyji përmes Jezu Krishtit, por ndërmjetësimi i shenjtorëve ndihmon shumë për të nxjerrë hiret e dëshiruara.







All the contents on this site are copyrighted ©.