2007-05-11 18:25:36

Ministri i jashtëm italian D'Alema mbi Kosovën


(11.05.07 RV)“Serbët e humbën Kosovën kur u përpoqën ta zgjidhnin problemin duke ia hequr autonominë, duke e pushtuar e duke kryer atje spastrimin etnik”. Kështu i përgjigjet, zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema pakënaqësisë së Beogradit për zgjidhjen që jep plani i Ahtisarit për Kosovën. “Askush – nënvizon D’Alema në një intervistë publikuar sot në revistën e njohur italiane “Espresso” – nuk mund të mendojë të rivendosë sovranitetin serb aty ku asnjë polic serb nuk mund të shkelë më. Altrenativa është ndërmjet një pavarësie faktike pa garanci dhe një pavarësie me garanci”.
Ministri është i bindur se është “në interesin e serbëve të përcaktohet statusi” i Kosovës. “Serbia është një vend i madh, dhe unë do të luftoj – siguron D’Alema – që të rihapen negociatat për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, në kuadrin e integrimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian”. Përsa i përket klauzolës që kërkon dorëzimin e kriminelit të luftës, gjeneralit Ratko Mladiq, D’Alema mendon se negociatat mund të shkojnë përpara, pa e lejuar Serbinë të nënshkruajë Marrëveshjen në rast se nuk e dorëzon gjeneralin Mladiq.
Ministri i jashtëm italian mendon se Kina nuk është e interesuar të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit kundër rezolutës për Kosovën, ndërsa me Moskën duhet biseduar dhe i duhen ofruar garanci. Natyrisht – thekson D’Alema – nuk ishte momenti të vendoseshin raketat amerikane në Evropë gjatë një debati të këtij lloji”.







All the contents on this site are copyrighted ©.