2007-05-11 07:29:37

Benedikti XVI i ftoi të rinjtë të jenë protagonistë e apostuj të një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore.


(11.05.2007 RV)Mbrëmë, në orën 18. 00 me orën vendase, 23. 00 me orën evropiane, Benedikti XVI u takua me të rinjtë e Brazilit.
Lajtmotivi i homelisë që mbajti gjatë këtij takimi në formën e Liturgjisë së Fjalës së Zotit, ishte “Në se do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljau të varfërve… pastaj eja e më ndiq mua!”
Papa u shpjegoi të rinjve se ndodhet në Brazil, për të hapur Konferencën V të episkopatit latinoamerikan që, sipas dëshirës së tij, do të mbahet në Aparasida, pranë Shenjtërores së Zojës së Bekuar.
Më pas kujtoi se një vit më parë, në asamblenë e tyre të përgjithshme, ipeshkvijtë e Brazilit reflektuan rreth temës së ungjillëzimit të rinisë, duke u dhënë në dorë të rinjve një dokument të rëndësishëm. Ndërsa në këtë asamble iu kthyen së njëjtes temë, të pasuruar me bashkëpunimin e vetë të rinjve, me dëshirën që reflektimet e bëra dhe orientimet e propozuara të shërbejnë si fanar për ndriçimin e rrugës në të ardhmen.
Papa theksoi se provon një gëzim të posaçëm kur takohet me të rinjtë, duke kujtuar posaçërisht Ditën XX botërore të rinisë, të cilën e kryesoi dy vjet më parë në Gjermani. Është një kujtim prekës – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë – sepse pati fryte të begata, dhuratë e vetë Zotit. E fryti më i çmuar ishte vëllazëria shembullore ndërmjet të rinjve, si dëshmi e dukshme e gjallërisë së përhershme të Kishës për mbarë botën.
Duke e thelluar atmosferën e një dialogu simbolik me të rinjtë, Benedikti XVI citoi fjalët e Gjon Palit II: “Të rinjtë janë protagonistët e mijëvjeçarit të tretë, janë ata që do të përcaktojnë fatin e kësaj etape të jetës së njerëzimit”, shqiptuar gjatë vizitës në Mato Groso, duke i shtuar edhe vlerësimet e veta:
Zoti e çmon, pa dyshim, jetën tuaj të krishterë në bashkësitë e shumta famullitare dhe në bashkësitë e vogla kishtare, në universitete, në kolegje e në shkolla e, në mënyrë të veçantë, në rrugë e në mjediset e punës në qytete e fshatra. Por duhet ecur përpara - theksoi Papa - dhe shtoi: - Nuk mund të themi kurrë mjaft, sepse dashuria e Zotit është e pakufishme e Ai na kërkon t’i hapim zemrat tona, në mënyrë që të mbushen gjithnjë më shumë me dashuri, mirësi e mirëkuptim për të afërmit tonë. Na kërkon të bëjmë tonat problemet që kanë të bëjnë jo vetëm me bashkëjetesën njerëzore, por edhe me mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit natyror, në të cilin bëjmë pjesë të gjithë.
Pyjet tona kanë më shumë jetë! – nënvizoi Shenjtëria e Tij, dhe më pas bëri thirrje: “Mos lejoni të shuhet flaka e shpresës që ju vë në buzë himni juaj kombëtar. Shkatërrimi ambiental në Amazonë dhe kërcënimet kundër dinjitetit të popullsive të saj, kërkojnë më tepër impenjim në fusha të ndryshme, sidomos atje ku ka më shumë nevojë shoqëria”.
E nga realiteti brazilian, Benedikti XVI kaloi tek fragmenti i shkëputur prej Ungjillit të Shën Mateut (Mt. 19, 16-22), i sapo lexuar.
Na flet për një djalosh i cili ngarendi për të takuar Jezusin. Nxitimi i tij meriton të nënvizohet – shpjegoi Ati i Shenjtë. E kjo, sepse në figurën e djaloshit, pa të rinjtë e Brazilit e të mbarë Amerikës Latine, që nxituan të takohen me Papën Racinger, për t’i drejtuar të njëjtën pyetje ungjillore: “Ç’duhet bërë për të fituar jetën e pasosur?”. E Papa nuk mund të mos ndalej tek kjo pyetje mbi karakterin e mbinatyrshëm të jetës, duke theksuar se vetëm Krishti mund t’i japë përgjigje, sepse është i vetmi që mund ta sigurojë jetën e pasosur, i vetmi që mund t’i japë domethënie jetës tokësore e ta mbushë plot me kuptim.
Më pas, duke thelluar këtë argument, Benedikti XVI vijoi të shpjegonte se Jezusi, para se të japë përgjigje, i drejtohet djaloshit me fjalët: “Pse po më pyet ç’është e mirë? Në këtë pyetje gjindet kyçi i përgjigjes përfundimtare. Jezusi është i mirë, gjë që na afron tek ai e na shtyn të përvetësojmë mësimin e këtij Mësuesi të mirë. Kush e pranon të mirën, do të thotë se di të dashurojë. E kush dashuron – thotë Shën Gjoni, njeh Zotin. Me këto fjalë, Papa i ftoi të rinjtë ta shikojnë me sy pozitiv jetën, realitetin e përditshëm, miqësinë e gjithçka i rrethon.
Duke u rikthyer tek pyetja e djaloshit të Ungjillit, Papa nënvizoi:
Jezusi na siguron se vetëm Zoti është i mirë. Të jesh plot mirësi, do të thotë të pranosh Hyjin. Kështu Ai na fton ta shikojmë Hyjin në të gjitha sendet e në të gjitha ngjarjet, edhe atje ku shumica shikon vetëm mungesën e Zotit. Duke parë bukurinë e krijesave e duke vërejtur sa të mira janë, është e pamundur të mos besosh në Zotin e të mos e provosh praninë e tij shëlbuese e ngushëlluese. E në se ia dalim mbanesh ta shohim gjithë mirësinë që ekziston në botë e të provojmë të mirën që vjen nga vetë Zoti, nuk mund të mos përpiqemi me të gjitha forcat t’i afrohemi sa më shumë, ta lavdërojmë e ta bekojmë”.
Por – shtoi Papa - për ta kuptuar ç’është e mirë, kemi nevojë për ndihmë. E këtë ndihmë na e jep Kisha, përmes katekizmit, duke e pasur parasysh se vetë Jezusi na tregon ç’është e mirë për ne e na dhuron kështu katekizmin e parë. Më pas - pyetja: “Po ju, të rinj të Amerikës Latine, a e keni zbuluar ç’është e mirë? A i ndiqni urdhërimet e TënZot? A e kuptoni se kjo është e vetmja rrugë drejt lumturisë?
Vitet që jetoni, janë vite që përgatisin ardhmërinë. E nesërmja varet shumë nga mënyra si e jetoni të sotmen, kohën e rinisë suaj, në cilën shpesh mungon çdo shpresë - vërejti Papa e, me keqardhje të thellë, foli për rreziqet e shumta e të rënda që kërcënojnë rininë sot. Prandaj nënvizoi se barinjve u dridhen zemrat, kur dëgjojnë se të rinjtë e sotëm janë të trembur, se nuk kanë shpresa, se kanë frikë nga vdekja pikërisht në çastin kur jeta mungullon e përpiqet të gjejë rrugën e drejtë për t’u realizuar plotësisht. Të rinjtë kanë frikë se do të dështojnë, se nuk do të mund ta gjejnë kurrë kuptimin e jetës, kanë frikë se do të mbeten mbrapa, për shkak të zhvillimit të vrullshëm të ngjarjeve e të komunikimeve. Vërejmë se shumë të ri vdesin në lule të moshës – vijoi Papa - dëgjojmë të flitet për dhunë e për përhapje gjithnjë më të madhe të përdorimit të drogës, gjë që flet për një rini të përhumbur”.
Por, si rreshtoi gjithë këto kërcënime, Benedikti XVI nënvizoi me forcë se shpresat nuk janë të humbura, se duke parë vështrimet plot besim e dashuri të të rinjve që ndiqnin takimin, beson se ata e kanë gjetur rrugën e vërtetë.
“Ju jeni të rinjtë e Kishës – pohoi plot besim Ati i Shenjtë – prandaj ju ftoj të merrni pjesë gjallërisht në misionin për t’i ungjillëzuar djemtë e vajzat që ravgojnë pa kuptim rrugëve të botës, si delet pa bari e të jeni apostuj të të rinjve, në mënyrë që edhe ata të zbulojnë rrugët e sigurta të urdhërimeve e, duke ecur në to, të arrijnë te Zoti”.
Papa i ftoi të rinjtë të jenë protagonistë të një shoqërie të re, duke u frymëzuar nga vlerat morale universale, por edhe duke u impenjuar për formimin e tyre njerëzor e shpirtëror. E kjo, sepse një vajzë ose një djalë që nuk janë të përgatitur për t’i përballuar sfidat reale të jetës së krishterë, mund të bien lehtësisht pré në të gjitha pritat e materializmit e të laicizmit, që aktivizohen gjithnjë më shumë dhe në të gjitha drejtimet. Por, sidomos, Shenjtëria e Tij uroi që të rinjtë të jenë protagonistë të një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore, duke kryer të gjitha detyrat ndaj shtetit, duke respektuar ligjet e tij, duke mos lejuar të rrëmbehen nga urrejtja e nga dhuna, duke u përpjekur të japin shembullin e tyre si të krishterë në mjediset profesionale e shoqërore dhe duke u dalluar për ndershmëri në marrëdhëniet shoqërore e profesionale.
“Duhet kujtuar edhe se ambicia e shfrenuar për pasuri e pushtet të çon në rrugën e korrupsionit vetjak e të tjerëve. Nuk ka asnjë arsye që ta përligjë prirjen për t’i realizuar aspiratat njerëzore, si ekonomike, ashtu edhe politike, duke ecur në rrugën e mashtrimit e gënjeshtrës”.
Ndërsa për t’i kryer detyrat – i këshilloi të rinjtë Papa – kërkoni ndihmën e Jezusit në mënyrë që me hirin e tij t’ju hapë rrugën për të kuptuar madhështinë e Planit që ka për çdo njeri.
Në përfundim Benedikti XVI përsëriti lajmotivin, që përshkoi gjithë homelinë:
“Ungjilli na siguron se ai i riu, që nxitoi ta takonte Jezusin, ishte shumë i pasur. Ta kuptojmë këtë pasuri jo vetëm në planin material. Mos harroni se vetë rinia është pasuri e posaçme. Duhet zbuluar e duhet vlerësuar, për të marrë kështu pjesë në misionin e shëlbimit.“Ju ftoj, prandaj, të mos e shpërdoroni rininë tuaj - tha Papa. Mos kërkoni të ikni nga ajo. Përkundrazi: ju jeni e sotmja rinore e njerëzimit dhe e Kishës, jeni fytyra e saj e re. Kisha ka nevojë për ju, për t’i treguar botës fytyrën e Krishtit. Pa këtë fytyrë Kisha do të paraqitej para botës e shpërfytyruar. Ju jeni pjesë përbërëse e Kishës e cila pëfaqëson fytyrën e Krishtit në Amerikën Latine - nënvizoi Ati i Shenjtë dhe, në përfundim, i ftoi të rinjtë të jenë shenjtorë, të ecin në gjurmët e Krishtit, për t’i dhënë një fytyrë të re edhe Brazilit në këtë fillim të mijëvjeçarit të tretë të epokës së krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.