2007-05-10 17:59:30

Kisha në fenomenin e emigracionit


(10.05.07 RV)Emigracioni qe në qendër të Bisedës së organizuar nga Konferenca episkopale rajonale e Afrikës perëndimore frankofone. Në takimin e zhvilluar në Abizhan, në Bregun e Fildishtë qe i pranishëm edhe sekretari i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve dhe endacakëve, kryeipeshkvi Agostino Marketo.
“Gjatë 20 vjetëve të fundit – kujtoi prelati – është përgjysmuar nga 40 në 20 përqindja e atyre që jetojnë me më pak se 1 dollar në ditë. Ky është një rezultat i mirë, por akoma sot, 1 miliard vetë në botë jetojnë në varfëri të plotë dhe gjysma e popullsisë së globit mbijeton me më pak se dy dollarë në ditë”.
Nga ky kuadër dalin të qarta arësyet e emigrimit të popullsive, fenomen që është bërë tashmë struktural. Imzot Marketo theksoi se për Kishën “personi me të drejtat e detyrat e tij duhet të respektohet edhe nëse është në pozicion të parregullt” e pa dokumenta. Për këtë është i nevojshëm, ndër të tjera, edhe një koordinim më i mirë ndërmjet Kishës së vendeve të nisjes së emigrantëve me atë të mbërritjes së tyre. Kisha e nisjes mbetet Kisha nënë, nënvizoi imzot Marketo, e nuk mund t’i braktisë bijtë e vet. Janë të nevojshme pra, shkëmbimi i informacionit ndërmjet kishave, takimet dypalëshe ndërmjet ipeshkvijve, vizitat periodike të përgjegjësve të Kishave për të mbajtur gjallë lidhjet me tokën mëmë e për të vlerësuar pasurinë kulturore e fetare të emigrantëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.