2007-05-10 17:30:37

Kardinali Bertone mbi përhapjen e sekteve në Amerikën Latine: Kisha duhet të jetë më pranë njerëzve.


(10.05.2007 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Papa e kremtoi privatisht Meshën Shenjte në kapelën e Kuvendit të Shën Bentos. Pastaj shkoi në Pallatin dos Bandeirantes, ku i bëri një vizitë mirësjelljeje presidentit të Brazilit, Luis Inasio Lula de Silua.
Por, në ç’frymë zhvillohen sot marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e qeverisë braziliane? Përgjigjen ia kërkuam sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone:
Përgjigje: - Fryma është shumë pozitive, si nga ana e ipeshkvijve dhe e Konferencës ipeshkvnore braziliane, ashtu edhe nga ana e Selisë së Shenjtë. Nunci apostolik, imzot Baldiseri, është dëshmitar, protagonist e autor i këtyre marrëdhënieve pozitive ndërmjet Kishës dhe shtetit të madh brazilian. Po harton edhe një marrëveshje, një farë marrëveshjeje globale e themelore, që shpresohet të përfundojë këtë vit e që e dëshirojnë të gjithë, për t’i orientuar si Kishën e shtetin, ashtu edhe Kishën e bashkësinë politike në atë që Koncili II i Vatikanit e quan “bashkëpunim i shëndoshë” për të mirën e çdo njeriu e edhe për zgjidhjen e problemeve që mund të kenë mbetur akoma të pazgjidhura.
Pyetje: - Në Brazil Papa do të ketë dy takime me të rinjtë: të parin sot, në San Paolo e pastaj, takimin në një bashkësi për mjekimin e të droguarve. Ç’mesazh do t’u besojë Benedikti XVI të rinjve brazilianë?
Përgjigje: - Kujtojmë se statistikisht kontinenti latinoamerikan e sidomos Brazili, ka një numër shumë të madh të rinjsh e, prej këndej, mund të quhet ‘kontinenti i të rinjve’. Papa, duke iu përgjigjur edhe kërkesës së ipeshkvijve brazilianë e latinoamerikanë, shprehu dëshirën t’i takonte të rinjtë: të rinjtë entuziastë të Ditëve botërore të rinisë, të rinjtë entuziastë të takimeve e të veprimtarive të shoqatave kishtare, por edhe të rinjtë që kanë histori tragjike personale, siç janë të droguarit. Papa u kërkon të rinjve të jenë protagonistë të shndërrimit të kontinentit, protagonistë të historisë së tyre, të jenë ata vetë autorë, natyrisht pa u shkëputur nga traditat e etërve, nga traditat e krishtera dmth, nga shembulli i baballarëve. Kërkon, pra, marrëdhënie të drejta ndërmjet breznive, duke pasur mirë parasysh se të rinjtë janë ardhmëria e shoqërisë, ardhmëria e Kishës. Por njëkohësisht Papa do të ripohojë edhe mesazhin e madh që u përcolli të rinjve në Këln: të jenë ata vetë apostuj të të rinjve, të jenë plot gëzim e të transmetojnë një gëzim ngjitës, gëzimin se janë miq të Hyjit e miq të Jezusit, gëzimin se njohin një Hyj mik, një Hyj të cilin e kanë gjithnjë pranë.
Pyetje: - Në Amerikën Latine vijojnë të përhapen edhe sektet. Si mund të përballohet një realitet i tillë?Përgjigje: - Fatkeqësisht fenomeni i sekteve përfaqëson një plagë nga e cila vuan jo vetëm kontinenti latinoamerikan, por edhe Veriu i Amerikës e edhe vetë vendet tona. Kisha është e thirrur, siç thotë Zoti e siç e dëgjojmë të përsëritet në Ungjill, për një proces të vazhdueshëm kthese në rrugën e Hyjit të saj. Është proces pastrimi e risimi shpirtëror. Braktisja nga ana e një pjese të mirë të popullit të Zotit, braktisja e Kishës katolike nga ana e njerëzve që shkojnë të kërkojnë bashkësi të tjera në të cilat shpresojnë të kënaqin kërkesat e tyre fetare ose të shuajnë etjen për frymë familjare, frymë bashkësie, shtron një sërë problemesh që presin zgjidhje nga ana e Kishës katolike, e detyron ta analizojë mirë cilësinë e veprimtarisë së saj ungjillëzuese, të edukimit fetar e të përforcimit të bashkësive të saj. Ngre edhe problemin – këtë ua përsëris gjithnjë ipeshkvijve e meshtarëve – e aftësisë për t’i mirëpritur e për t’i dëgjuar njerëzit, për të qenë më afër tyre, ashtu si na mësojnë shenjtorët, gjë që Gjon Pali II e ka theksuar edhe në autobiografinë e tij, në të cilën shkruhet: “Jam përpjekur e përpiqem gjithnjë t’i pres mirë të gjithë, t’u qëndroj sa më pranë njerëzve”- e Benedikti XVI na e mëson me aftësinë për të dëgjuar e për t’u afruar menjëherë me këdo kërkon ndihmën e tij. Ai që e takon, qoftë për pak minuta, gjatë një audience, ndjehet i shndërruar, sepse e percepton se po e trajtojnë si mik të vjetër. Kjo është diçka tepër e bukur, është mësim që duhet përvetësuar. Më duket se është edhe mjet i thjeshtë, por i frytshëm, për t’i prerë rrugën këtij heksodi të të krishterëve tanë katolikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.