2007-05-10 13:34:29

1Situata në Darfur. Intervistë me një kombonian.


(10.05.07 RV)Krerët e grupeve rebele të Darfurit, në Sudan, po përpiqen të gjejnë një pozicion të përbashkët për të filluar bisedimet me qeverinë sudaneze. Një takim i parë ndërmjet fraksioneve të ndryshme mund të bëhet së shpejti në Juba, kryeqyteti i Sudanit Jugor, ndërsa nesër arrijnë në Khartum i dërguari i veçantë i OKB-së, Jan Eliason dhe ai i Bashkimit Afrikan, Salim Ahmed Salim. E pikërisht pardje, Amnesti Interneshënëll akuzoi Moskën dhe Pekinin se kanë dhunuar embragon e armëve kundër Sudanit. Në mikrofonin tonë at Franko Moreti, misionar kombonian, i sapokthyer nga Darfuri:
Pas marrëveshjes së paqes me njërën nga tre fraksionet e guerrialsve në Darfur, gjendja e pasigurisë është rënduar. Tani, nuk kemi vetëm ndeshje ndërmjet guerrialsve dhe qeverisë, por edhe ndërmjet vetë fraksioneve të guerrialsve. Të bën përshtypje fakti se në momentin e mbërritjes në aeroportin e Khartumit nuk sheh ndonjë shenjë lufte. Të gjithë duket sikur e injorojnë çka po ndodh e preferojnë të mos flasin për luftën. Është e vështirë të vizitosh Darfurin, sepse nuk ta japin lejen, por unë shkova pa leje, duke thënë se jam aty për të vizituar sivëllezërit e mi. Kur dola nga aeroporti shkova për të parë kampet e refugjatëve, ku gjendja është me të vërtetë katastrofike. Mbi këto fshatra vazhdojnë bombardimet e avionëve qeveritarë dhe sulmet e milicive arabe xhanxhauid. Këta të fundit janë hajdutë të shkretëtirës, kanë ekzistuar gjithnjë. Por ç’ka bërë qeveria? I ka fuqizuar, i ka armatosur dhe i ka shtyrë kundër popullsisë lokale. Jo vetëm: sulmet i bëjnë me armë të rënda. Unë vetë, me sytë e mi pashë avione Mig sovjetikë, të shitur nga Kina e të modernizuar në Khartum. I kam parë me sytë e mi ushtarët, që armatosnin krahët e avionave; i kam parë të nisen e madje i kam fotografuar. Më kot qeveria e Khartumit thotë se nuk është e vërtetë që bombardohen popullsitë civile.







All the contents on this site are copyrighted ©.