2007-05-09 18:52:05

Filloi shtegtimi VI apostolik i Benediktit XVI në Brazil, ku do të përurojë Konferencën V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik.


(09.05.2007 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI u nis sot, në orën 9. 08, nga aeroporti ndërkombëtar romak i Fiumiçinos për në Brazil, ku do të arrijë rreth orës 16. 30 me orën vendase, në sa në Itali do të jetë ora 21. 30 e ne do ta kemi përfunduar programin tonë, duke ju ftuar të na ndiqni nesër për t’u njohur me ngjarjet e ditës së parë të këtij shtegtimi të largët apostolik të Atit të Shenjtë.
Është shtegtimi VI ndërkombëtar i Benediktit XVI jashtë Italisë, pas Ditës Botërore të Rinisë në Këln; vizitës në atdheun e Gjon Palit II, në Poloni; Takimit Botëror të Familjeve në Valencia të Spanjës si dhe vizitave në Bavarinë e tij e në Turqi.
Qëllimi kryesor është hapja e Konferencës V të Përgjithshme të Episkoptatit latinoamerikan dhe karaibik (CELAM). Punimet e Konferencës, që do të hapen të dielën, më 13 maj, do të mbahen në Aparesida.
Gjatë fluturimit të aeroplanit drejt Brazilit, Papa mbajti konferencën tradicionale të shtypit me gazetarët. Ta ndjekim:
“E dua shumë Amerikën Latine – janë fjalët e para që u tha Benedikti XVI gazetarëve, duke shprehur kështu edhe gëzimin e tij të madh për këtë shtegtim drejt Kontinentit të shpresës, për të kumtuar sesa gjë e bukur është të jesh i krishterë.
“Qëllimi kryesor i këtij shtegtimi – shpjegoi Shenjtëria e Tij – është hapja e Konferencës V të Përgjithshme të Episkoptatit Latinoamerikan dhe të Karaibeve (CELAM). Prej këndej kuptohet se shtegtimi në vetvete, ka qëllim fetar. Por misioni fetar i Kishës – kujtoi Shenjtëria e Tij – nuk mund të shkëputet nga përpjekjet për të zgjidhur edhe problemet e mëdha shoqërore të Amerikës Latine. E këto përpjekje nuk mund të mungojnë edhe pse Kisha, si e tillë, nuk bën politikë, por respekton laicitetin.
Benedikti XVI foli edhe për shpalljen e shenjtit të parë të lindur në Brazil. Është regulltari françeskan Galvao, njeri i pajtimit e i paqes.
U ndal edhe në impenjimin e kishës kundër dhunës:
“Kush beson në Krishtin, në këtë Zot të pajtimit, që me Kryqin e tij iu kundërvu dhunës, jo vetëm që nuk mund ta pranojë dhunën, por i ndihmon edhe të tjerët të mos jenë njerëz të dhunshëm”.
Një pyetjeje mbi teologjinë e çlirimit, që iu drejtua gjatë udhëtimit – Benedikti XVI iu përgjigj duke shpjeguar se situata sot ka ndryshuar thellësisht. Kisha – ripohoi Ati i Shenjtë – është e impenjuar në mbrojtje të drejtësisë e, njëkohësisht, në veprimtarinë për t’i përgatitur shpirtërisht besimtarët që të mund t’i dallojnë profetët e rremë, të cilët besojnë se mund të ngrejnë një sistem shoqëror të përkryer, duke ecur në rrugën e revolucionit.
Papa foli edhe për Oskar Arnulfo Romeron, kryeipeshkvin e San Salvadorit, vrarë në vitin 1980 në elter, në sa shuguronte hosten shenjte:
‘Është dëshmitar i madh i fesë – tha për të Ati i Shenjtë – e nuk ka dyshim që meriton të shpallet i lum, ndonëse figura e tij duhet çliruar nga pandehmat e atyre që duan ta përdorin për qëllime politike”.
Lidhur me përhapjen e sekteve, Benedikti XVI pohoi se dëshmojnë etjen e njerëzve për Zotin.
E Kisha duhet t’i përgjigjet kësaj kërkese me një plan shumë konkret, e vetëdijshme se kumtimi i mesazhit të krishterë lidhet ngushtë me ndihmën që duhet t’u japë njerëzve për krijimin e kushteve të drejta të jetesës, mikro e makroekonomike, në përpjekjen për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të tyre për drejtësi.
Një pyetjeje lidhur me politikanët e qytetit të Meksikos, që kanë mbështetur ligjin mbi lejimin e abortit, Papa iu përgjigj se Kisha kumton Ungjillin e jetës, prandaj kërkon që qëndrimi i të krishterëve të jetë gjithnjë në përkim me fenë e tyre.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Atë Federiko Lombardi, duke komentuar lajmet lidhur me këtë përgjigje të Papës, sqaroi se ipeshkvijtë meksikanë nuk kanë bërë asnjë deklaratë për çkishërimin e këtyre politikanëve, prandaj edhe Ati i Shenjtë nuk e ka ndër mend të bëjë deklarata të kësaj natyre. Ligji që mbron abortin – sqaroi Atë Lombardi – nuk i përshtatet pjesëmarrjes në Eukaristi, siç shkruhet edhe në ‘Sacramentum Caritatis’. Atëherë duhet të çkishërohen? – e pyetën. – Jo, - u përgjigj Atë Lombardi – vetpërjashtohen nga Kungimi Shenjt.
Udhëtimi po i afrohet fundit. Zvogëlohet distanca që e ndan Papën nga trojet braziliane. Pas fjalimit zyrtar në aeroportin ndërkombëtar Guaruljos dhe përshëndetjes drejtuar presidentit Lula, Benedikti XVI do të largohet me helikopter nga aeroporti i San Paolos për takimin e parë simbolik me popullsitë e Amerikës Latine, të cilat do t’i pëshëndesë e do t’i bekojë nga ballkoni i Kuvendit të Shën Bentos, siç e shqiptojnë brazilianët emrin e Shën Benediktit, në zemër të metropolit paulist, ku tashmë është mbledhur një turmë e jashtzakonshme, që e pret plot entuziazëm e mirënjohje. Por, për këtë pritje, të ndjekim shërbimin e të dërguarit tonë të posaçëm, Alesandro Gjizoti:
"Populli brazilian, duke i harruar për një çast vështirësitë e përditshme, e pret me gëzim të madh Papën Benedikti XVI. Gazetat flasin për njerëz të thjeshtë, me origjinë të përvujtë, që e jetojnë me emocion e, pse jo, edhe me krenari të ligjshme, ngjarjen e shumpritur. Një burrë 79 vjeç është duke përshkuar në këmbë 260 kilometra për të arritur në Aparesida, ku Papa do të kremtojë Meshën solemne. Një lustraxhi këpucësh, 75 vjeç, që punon prej një gjysëm shekulli para Kuvendit të Shën Benediktit, ku do të strehohet Benedikti XVI, ëndërron t’ia lustrojë këpucët Atit të Shenjtë. E mediat janë plot me lajme për vazhdimin e vizitës së Shenjtërisë së Tij, që nesër, më 10 maj, do të takohet, në një vizitë mirësjelljeje, me presidentin brazilian Luis Inasio Lula de Silua e më pas edhe me përfaqësuesit e konfesioneve të krishtera e të feve të tjera.
Në mbrëmje - takimi me të rinjtë në stadiumin bashkijak “Paulo Maçado gji Karvalio.
Të premten, më 11 maj paradite, Papa do të kryesojë Meshën për shenjtërimin e të Lumit Galvao, rregulltar françeskan që ka jetuar ndërmjet viteve 1700 e 1800.
Pasdite, takimi me ipeshkvijtë e Brazilit në Katedral da Sé në San Paolo e pastaj nisja për Aparesida.
Të premten, më 12 maj, Benedikti XVI do të takohet me bashkësinë e Fazenda da Esperansa, ndërsa në mbrëmje, në Shenjtëroren e Aparesidas, tepër të dashur për brazilianët, kushtuar Zojës së Bekuar, Papa do të kryesojë Rruzaren Shenjte me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, seminaristët e diakonët.
Të dielën, më 13 maj, festa e Zojës së Fatimës, në Sheshin përballë shenjtërores së Aparesidas, Papa do të kryesojë Meshën, me të cilën do të hapen punimet e Konferencës V të Përgjithshme të Episkoptatit Latinoamerikan dhe të Karaibeve. Në mbrëmje do të niset drejt Italisë, për të arritur, sipas parashikimit, në aeroportin romak të Çampinos rreth orës 12. 45 të së hënës, 14 maj.
Për sigurinë e Papës si dhe për realizimin me sukses të vizitës, janë aktivizuar 3 mijë ushtarë e 5 mijë policë.
Dhjetë vjet pas vizitës së Gjon Palit II në Brazil, Benedikti XVI do të gjejë një realitet shoqëror me dy fytyra, një vend që ka hyrë në rrugën e zhvillimit ekonomik, por që vijon të vuajë nga plaga e pabarazisë shoqërore, plagë që duhet shëruar.
San Paolo, me 20 milionë banorët e tij, është pasqyrë e Brazilit të sotëm, metropol ku rrokaqiejtë peshojnë rëndë mbi ndërtesat e varfëra, që ndjejnë tradhtinë e bashkëjetesës së pasurive të reja me varfëritë e vjetra.
Po si e pret ky vend Papën? E pret me shumë gëzim, me shumë entuziazëm. Besimtarët janë mbledhur për t’iu lutur Zotit që ky udhëtim të japë frytet më të mira për Kishën në të gjithë kontinentin, ku sfidat nuk janë të pakta. Kisha e Brazilit, e jo vetëm e Brazilit, por e gjithë Amerikës Latine ndodhet para sfidës së sekteve, që vijojnë të shtohen çdo ditë e të bëjnë shumë njerëz për vete. Kërkojnë të kthejnë një numër sa më të madh të pagëzuarish në rrugën e tyre, duke i larguar nga Kisha. Kjo është sfidë shumë e madhe që duhet përballuar në veprimtarinë baritore, për t’i prerë rrugën largimit të besimtarëve të krishterë dhe kalimit të tyre në bashkësitë sektare. Kisha është edhe përballë krizës së familjes, sfidës së ushtrimit të përditshëm të dhunës në të gjitha qytetet e mëdha të Amerikës Latine, sfidës të mungesës së thellimit në fe nga ana e besimtarëve, sfidës së varfërisë. Një pjesë e mirë e popullsisë vijon të jetojë në mjerim të plotë. Të shumta, pra, sfidat, rreth të cilave foli edhe vetë Papa në konferencën e sotme të shtypit e rreth të cilave sigurisht do të përqendrohet reflektimi e shqetësimi i Konferencës V të CELAM-it.







All the contents on this site are copyrighted ©.