2007-05-08 18:41:11

Papa pritet me dashuri në Brazil. Flet një funksionar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine


(08.05.07 RV)RealAudioMP3 “Me dashuri të madhe” Kisha braziliane pret nesër Papën Benedikti XVI, në udhëtimin e tij të parë në Amerikën Latine, ku jeton gati gjysma e katolikëve të botës.
Ashtu si Papa Pali VI në Medelin në vitin 1968 dhe Gjon Pali II në Puebla në vitin 1979 e në Santo Domingo në vitin 1992, do t’i takojë Benediktit XVI hapja e Konferencës së përgjithshme të Episkopatit latinoamerikan dhe të Karaibeve, të dielën më 13 maj, me një fjalim shumë të pritur që do t’i japë kishës orientimet për të përballuar sfidat e viteve të ardhshme. Pjesa e parë e udhëtimit do t’i kushtohet krejtësisht kishës dhe popullit brazilian. Një vend të veçantë do të zënë të rinjtë, që Ati i Shenjtë do t’i takojë në mbrëmjen e 10 majit në Stadiumin Pakaembu të kryeqytetit, gati një edicion brazilian i Ditës Botërore të të Rinjve. Më pas, të shtunën, më 12 maj, në Guarantiguetà, do të zhvillohet takimi me të droguarit e Bashkësisë “Fasenda da Esperanca”, që i ndihmon ata të dalin nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhen. Bashkësia është themeluar që në vitin 1979 nga françeskani gjerman Hans Shtapel. Të rinjtë e presin me padurim Papën, i cili me ketë gjest tregon dashuri për ata që kanë gabuar, por që në Krishtin kanë gjetur më pas forcën për të ndryshuar jetë.
Dy janë meshët solemne që Papa do të kremtojë në Brazil. Më 11 maj, Benedikti XVI do të kryesojë meshën e kanonizimit të françeskanit Antonio de Sant’Ana Gauvau, shenjti i parë brazilian. Të dielën, 13 maj, solemniteti i Zojës së Fatimës, Papa do të kremtojë meshën në shenjtoren e Aparesidës.
E pastaj, udhëtimi karakterizohet nga takime me autoritetet politike e kishtare të vendit, për të cilat, të dashur dëgjues, do t’ju flasim në emisionet e ardhshme, duke ndjekur hap pas hapi udhëtimin e gjashtë apostolik të Papës Benedikti XVI.
Ungjilli është përgjigjia për sfidat e mëdha të botës së sotme, thoshte Benedikti XVI në janarin e këtij viti, para Komisionit Papnor për Amerikën Latine. Ipeshkvijtë janë të thirrur t’i përkushtohen ungjillëzimit të ri, siç na shpjegon don Hozè Tola, funksionar i këtij Komisioni:
Besoj se të gjithë ipeshkvijtë latinoamerikanë janë të vetëdijshëm se rruga e vetme për ta bërë shoqërinë njerëzore më të drejtë është ajo e propozimit të qartë të Ungjillit. Fjala e Krishtit e përqëndron vështrimin tonë mbi atë që është thelbësore e nuk është e vështirë të kuptojmë se veprimtaria e Kishës e humb fuqinë e saj nëse nuk shpall para së gjithash personin e Krishtit. Vetëm me këtë premisë mund të përballojmë me guxim e me shpresë të gjitha sfidat që na paraqet jeta e njeriut në këto kohë.
Konferenca e fundit e përgjithshme latinoamerikane është zhvilluar në vitin 1992. Si ka ndryshuar që atëherë Amerika Latine dhe mënyra e përjetimit të fesë?
Feja mbetet gjithmonë pasuria më e rëndësishme e Amerikës Latine. Është një kontinent që karakterizohet nga feja, nga një fe shumë e gjallë, nga përshpirtëria e madhe e njerëzve. Gjithsesi, nuk mund ta mohojmë faktin se në 15 vitet e fundit janë paraqitur disa vështirësi. Për shembull, është e rëndësishme të shihet se përqindja e katolikëve është ulur dhe kemi një prani gjithnjë e më të fortë të sekteve. Para kësaj situate, unë do të përmendja dy pika të rëndësishme për kontekstin aktual: e para ka të bëjë me pastoralen e thirrjeve dhe e dyta ka të bëjë me familjen. Në mbledhjen tonë plenare të janarit, kardinal Groçolevski kujtoi se familja në Amerikën Latine ka një potencial të madh e këtë potencial duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë.
Papa ka theksuar nevojën e ungjillëzimit të ri të kontinentit. Si përjetohet kjo ftesë e Atit të Shenjtë?
Do të thosha që përjetohet me shumë shpresë e fryma aktuale është ajo e ungjillëzimit të rinovuar, që nuk është e njëjta gjë me ri-ungjillëzimin, sepse kemi të bëjmë me një mënyrë të re në përhapjen e Ungjillit, ndryshon mënyra e ungjillëzimit. Krishterimi kërkon ta jetojmë Ungjillin rrënjësisht e për këtë janë shumë të rëndësishme modelet. Prandaj, ipeshkvijtë latinoamerikanë e dinë se me fjalën dhe dëshminë e jetës duhet t’u japin guxim e forcë katolikëve për të krijuar kështu një valë të madhe kthimesh në rrugën e Zotit e shenjtërimin e jetës në krejt kontinentin.
Çfarë mund t’u japë besimtarëve apo njerëzve të Kishës një ngjarje si vizita e Papës Benedikti XVI në Brazil?
Mund t’u japë më tepër guxim, më tepër forcë, më tepër shpresë. Mendoj se Amerika Latine është një kontinent që ka një dashuri të veçantë për Pasardhësin e Shën Pjetrit. Amerika Latine është akoma thellësisht katolike. Vizita e Papës do të shërbejë t’i japë më shumë forcë identitetit të thellë të këtij kontinenti e ta përforcojë atë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.