2007-05-07 18:31:46

Sfidat e Kishës në Amerikën Latine. Flet sekretari i Shtetit të Vatikanit.


(07.05.07 RV)RealAudioMP3 Pas dy ditësh pra, të mërkurën më 9 maj, Ati i Shenjtë Benedikti XVI niset për në Brazil, në udhëtimin e tij të gjashtë apostolik, jashtë Italisë. Do të përurojë edhe punimet e Konferencës V të Përgjithshme të Episkopatit Latinoamerikan dhe të Karaibeve, e cila fillon të dielën më 13 maj. Si e sheh Selia e Shenjtë rrugën që ka ndjekur Kisha në Amerikën Latine? Në mikrofonin tonë, kardinali sekretar i shtetit, imzot Tarçizio Bertone:
Amerika Latine, siç kemi vënë në dukje edhe në takimin që kemi pasur në shkurt me të gjithë nuncit apostolik të 22 vendeve të Amerikës Latine dhe të Amerikës Qendrore, është një kontinent i plagosur nga situata të një dramaticiteti të jashtëzakonshëm. Le të mendojmë për dhunën që përfshin sidomos metropolet e mëdha; të mendojmë trafikun e drogës, që bëhet gjithnjë e më agresiv dhe më i fuqishëm; të mendojmë për pabarazitë shoqërore, për të cilat akoma nuk ka zgjidhje; të mendojmë për problemin e papunësisë, problemin e emigracionit, të prishjes së edukimit e arësimimit, gjë që godet pjesën më të madhe të të rinjve, të cilët janë shumica e banorëve dhe e qytetarëve të vendeve latinoamerikane, por të mendojmë edhe për defiçitin e demokracisë si përfaqësi e popullit. Natyrisht, në të gjitha këto situata, Kisha është e pranishme, para së gjithash për konsolidimin e mesazhit ungjillor, por edhe për të promovuar një “revolucion njerëzor”, një revolucion për barazinë, drejtësinë dhe pajtimin. Kjo është në ADN-në e misionit të Kishës, e cila ndihmohet nga të gjitha komponentet kishtare: nga ipeshkvijtë, nga hierarkia, nga laikët e deri tek Kongregatat e mëdha rregulltare, të lashta e të reja, nga lëvizjet tek shoqatat laike. Prandaj, Kisha sheh edhe shenja pozitive në bashkësitë lokale të Amerikës Latine e sheh një rritje të thirrjeve si për jetën meshtarake, ashtu edhe për jetën e shuguruar. Laikët bëhen më të vetëdijshëm, gjë që duhet nënvizuar e sidomos duhet ndihmuar që të rritet.







All the contents on this site are copyrighted ©.