Papa priti në audiencë ish presidentin e Iranit, Khatam: kapercimi i tensioneve mes
kulturave e feve dhe mbeshtetja e negociave serioze per Lindje te Mesme.
(05.5.07 RV)Të kapërcehen tensionet ndërmjet kulturave e feve dhe të mbështen
nisma të negociatave serioze për Lindjen e Mesme: mbi këto pika Papa Benedikti XVI
ka folur me ish presidentin iranian, Seyyed Mohammad Khatami, të cilin e priti sot
paradite në audiencë në Vatikan. Ati i Shenjtë Benedikti XVI foli gati gjysëm ore
me ish kreun e Shtetit të Iranit, Khatami, i cili pastaj u ndal për një gjysëm ore
tjetër në bisedë me kardinalin Sekretar të Shtetit të Vatikanit, Tarcisio Bertonen,
shoqëruar nga kryeipeshkvi Dominique Mamberti, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetët.
“Takimi” – informon nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit –“ka mundësuar që bashkëbisedimet
të ndaleshin mbi aspekte të rëndësishme siç është dialogu ndërmjet kulturave, çka
do të ndihmonte në tejkalimin e tensioneve të rënda që karakterizojnë kohët tona dhe
tek promovimi i një bashkëpunimi të frytshëm në shërbim të paqes e të zhvillimit të
të gjithë popujve. Po kështu gjatë takimit është vu theksi – vijon nota e Sallës
së Shtypit të Selisë së Shenjtë – tek kushtet, tek gjendja dhe problemet e bashkësisë
kristiane në Lindje të Mesme dhe në Iran”. E, lidhur me “situatën e Lindjes së Mesme,
është ripohuar edhe nevoja e nismave të forta nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare”
– sikur se Konferenca mbi Irakun në Sharm-el-Sheik- që ka në rend të ditës negociatat
serioze, që kanë parasysh të drejtat dhe interesin e të gjithëve, në respektimin e
legalitetit ndërkombëtar e më vetëdije - përfundon nota e Vatikanit – se nevojitet
rikrijimi i besimit të anasjelltë”. Në mbarim të bisedës ndërmjet Papës Benediktit
XVI e Khatamit, shkëmbimi i dhuratave: ish presidenti iranian i ofroj Atit të Shenjtë
një botim pikturash të Iranit me imazhe simbolike mbi temën e paqës, e Papa i dhuroj
një penë artistike kushtuar 500 vjetorit të Muzeumeve të Vatikanit. Vizita e Khatamit
tek Benedikti XVI ishte një vizitë e pritur, programuar qysh në nëntorin e kaluar,
pastaj anulluar “per motive të rendit ndërkombëtar”, pas reagimeve të botës musulmane
ndaj fjalimi të Papës shqiptuar në Universitetin e Regensburgut. Me këtë rast po
kujtojmë edhe takimin e mëparshëm, të marsit të vitit 1999, ndërmjet Khatamit –kujtojmë
se aso kohe ishte në udhëheqje të Iranit nga 1997 deri më 2005 – e Gjon Palit II-të,
ai qe takimi i parë në histori të një presidenti iranian me Papën në Vatikan, takim
i cili u zhvillua – qe komentuar në atë kohë- në një frymë dialogu ndërmjet mysulmanëve
e të krishterëve. E sot fjalët e Khatamit që tha posa mbërrini mbrëmë në Romë, lënë
për të shpresuar. “Në një botë në të cilën gjëja më e rëndësishme është dhuna, vetëm
të flasësh për paqen, duket gjë jashtëzakonisht e madhe”:tha ish presidenti iranian
duke përshëndetur pjesëmrrësit e Kuvendit që po mbahet pranë Universitetit Papnor
Gregoriana mbi temën: “Dialogu ndërkulturor: një sfid për paqen”. E sot para dite
gjithnjë në selinë e Universitetit Gregoriana, Khatami ka uruar të ketë “përpjekje
të përbashkëta në të ardhmen” me Papën për të shëruar “vuajtjet e kësaj bote”, por
ndoshta- shtoi ai – një takim i vetëm nuk mund të mjaftojë, sepse “plagët mjerisht
janë shumë të mëdha”. Programi i vizitës së Khatamit në Itali ku do të qëndrojë
deri më 10 maj është i ngjeshur me takime të ndryshme, do të takohet me kryeministrin
italian Prodi, përveç me ministrin e Jashtëm D’Alema, me presidentin e Parlamentit
Bertinotti, me presidentin e Unionit ndërparlamentar Casini e autoritete të ndryshme
politike e fetare në Napoli, Palermo, Milano, Forlì e në Bari të Italisë.