2007-05-04 16:53:17

Fajlimi i Papës Benedikti XVI drejtuar ipeshkvijve të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës e Serbisë


(04.05.07 RV)RealAudioMP3 Nesër përfundon vizita ad Limina e ipeshkvijve të Konferencës së shenjtërve Çirili e Metodi në Vatikan. Sot, prelatët nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova u takuan me Papën Benedikti XVI, në audiencë private. Siç ju kemi njoftuar edhe më parë, në mesin e tyre ndodhen imzot Zef Gashi, kryeipeshkvi i Tivarit në Malin e Zi dhe imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës. Ati i Shenjtë i ftoi ipeshkvijtë të udhëheqin grigjën që u është besuar, nga trashëgimia e rëndë e komunizmit në integrimin evropian, pa e lënë të humbasë në shtigjet e errta të materializmit e relativizmit perëndimor. Por ja fjalimi i plotë i Benediktit XVI:


Të dashur vëllezër në Episkopat!
“Zoti i shpresës, që na mbush me çdo gëzim e paqe në fe përmes fuqisë së Shpirtit Shenjt, qoftë përherë me ju” (Rm 13,13). Është kënaqësi për mua t’ju pres me këto fjalë të marra nga Letra e shën Palit Apostull drejtuar Romakëve: po, Zoti i shpresës ju mbushtë me ngushëllimet e tija hyjnore! Me këtë urim përqafoj vëllazërisht secilin prej jush, Barinj të dashur të një pjese të grigjës së Zotit, që për mua është veçanërisht e dashur! Ju vini nga vende të ndryshme, që kanë etni, kultura e gjuhë të ndryshme, por ku bashkësitë kishtare janë të bashkuara në të njëjtën fe në Krishtin e ngjallur, trashëguar nga Apostujt. Mirësevini.

Përshëndes secilin prej jush, ndërsa falenderoj nga zemra për fjalët e përzemërta që më drejtoi, Kryeipeshkvin Stanislav Hoçevar, President i Konferencës suaj Ipeshkvnore Ndërkombëtare të Shenjtërve Çirili e Metodi, formuar në dhjetor 2004 nga Parardhësi im, Shërbëtori i Zotit Gjon Pali II. Presidenti juaj interpretoi ndjenjat e bashkimit që ju lidhin me Pasardhësin e Shën Pjetrit: ju jam mirënjohës. Kjo shtëpi është edhe juaja; në të mund të eksperimentoni katolicitetin e Kishës së Krishtit, që e shtrin tendën e vet deri në kufijtë më të largët të tokës. Në përfundim të vizitës suaj “ad Limina Apostulorum”, ju përsëris mirënjohjen time të sinqertë, të cilën ju kërkoj që t’ia përçoni edhe bashkësive tuaja, mbështetjen e të cilave me lutje e kërkoj plot besim. I siguroni të gjithë – meshtarë, rregulltarë e rregulltare, fëmijë e të rinj, të moshuar e familje – se Papa u qëndron afër dhe i kujton çdo ditë në lutjet e veta drejtuar Zotit. U kërkoj të gjithëve të ngulin këmbë në rrugën e bashkimit, në hapjen e anasjelltë dhe në frymën e vëllazërimit.

Vendet e ndryshme e kontekstet e ndryshme shoqërore e fetare, në të cilat ndodhen besimtarët tuaj, të nderuar Vëllezër, ndikojnë jo pak në jetën e tyre të krishterë. Mendoj, për shembull, për martesën ndërmjet bashkëshortëve me besim apo fe të ndryshme, e cila kërkon nga ana juaj, të dashur Barinj, një kujdes të veçantë shpirtëror dhe një bashkëpunim më harmonik edhe me Kishat e tjera të krishtera. Gjithashtu, mendoj për edukimin fetar të brezave të rinj, i cili duhet pa tjetër të parashikohet në programet shkollore. E si të mos përmendim pastaj, atë aspekt themelor për jetën kishtare, që përbëhet nga formimi i meshtarëve dhe i rregulltarëve e nga shoqërimi i tyre shpirtëror në kontekstin shumëfetar për të cilin folëm? Di që ekziston një projekt për ngritjen e një Seminari të Madh në Suboticë: inkurajoj me gjithë zemër iniciativën, për shërbimin e mirë që mund të kryejë për disa dioqeza. Duhen ndihmuar seminaristët që të rriten me vetëdijen e qartë se presbiteri është “alter Christus”, i cili duhet të kultivojë marrëdhënie intime me Jezusin, nëse dëshiron të realizojë plotësisht misionin e tij e të mos konsiderohet si një “funksionar” i thjeshtë i një organizate kishtare. Meshtari është në shërbim të plotë të Kishës, organizëm i gjallë dhe shpirtëror, që e merr energjinë jo nga komponente nacionaliste, etnike apo politike, por nga veprimi i Krishtit të pranishëm në ministrat e vet. Në fakt, Zoti e ka dashur Kishën të hapur për të gjithë; Apostujt e kanë ngritur kështu që nga hapat e para të krishterimit dhe Martirët e kanë dëshmuar me gjakun e tyre shenjtërinë dhe “katolicitetin” e saj. Në vazhdën e shekujve, Tradita e ka mbajtur të pandryshuar karakterin e saj universal, ndërsa përhapej duke hyrë në kontakt me gjuhë, raca, kombe dhe kultura të ndryshme. Ju mund ta shihni çdo ditë këtë bashkim të Kishës në shumëllojshmëri.

Vëllezër të dashur e të nderuar, gjatë këtyre ditëve, pata mundësinë ta njoh më mirë realitetin e Dioqezave tuaja, të përbëra shpesh nga një grigjë e vogël e futur në kontekste të ndryshme shumëetnike, shumëkulturore e shumëfetare. Prandaj misioni juaj nuk është i lehtë! Por me ndihmën e Zotit, e me butësinë e Shpirtit të tij, i këshilloni ata që Ai vetë ia ka besuar kujdesit tuaj, të mos lodhen së qeni “tharm” ungjillor që fermenton shoqërinë. Në këtë mënyrë, sëbashku, sipas këshillës së shën Pietrit Apostull, do të mund të dëshmoni shpresën që ju frymëzon. Do ta realizoni këtë në saj të besnikërisë së vazhdueshme ndaj Krishtit, në sajë të një praktike të vazhdueshme sakramentore dhe në sajë të përkushtimit bujar apostolik. Për këtë qëllim, do të jetë e nevojshme të përfshihet çdo anëtar i popullit të Zotit, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për formimin e krishterë, që ndodhet në idiomat e ndryshme të popullsisë.

Një vepër e tillë e përbashkët pastorale nuk mund të mos sjellë edhe ndikim pozitiv në fushën civile. Në fakt, ndërgjegje të pastra të formuara sipas Ungjillit do të shtyhen më lehtë në ndërtimin e një shoqërie me përmasa njerëzore. Një modernizëm i kuptuar keq priret sot të vërë në dukje në mënyrë të tepruar nevojat e individit në dëm të detyrave që çdo person ka ndaj Zotit e ndaj bashkësisë që i përket. Për shembull, është e rëndësishme të vihet në dukje koncepti i drejtë i përgjegjësisë civile dhe publike, sepse pikërisht nga ky vizion rrjedh impenjimi për respektimin e të drejtave të secilit dhe për integrimin bindës të një kulture me të tjerat, duke mbrojtur së bashku të mirën e përbashkët.

Provania Hyjnore i ka vendosur popujt tuaj në kontekstin e një kontinenti evropian që po ristrukturohet gjatë këtyre viteve. Edhe Kishat tuaja ndihen pjesëmarrëse në këtë proces historik, duke e ditur se mund të japin kontributin e tyre të veçantë. Fatkeqësisht, pengesat nuk mungojnë: mjetet e pakta në dispozicion për shkak të situatës ekonomike dhe numri i vogël i forcave katolike mund t’ju shkurajojnë. Nuk është e lehtë të harrohet trashëgimia e rëndë e mbi 40 vjetëve të monizmit, e cila ka shkaktuar sjellje shoqërore që nuk e kuptojnë lirinë dhe përgjegjësinë personale, dhe njëkohësisht, është e vështirë t’u rezistohet tundimeve të materializmit perëndimor me rreziqet e relativizmit e liberalizmit etik, të radikalizmit dhe të fondamentalizmit politik. Mos e humbni kurajon, por bashkoni forcat dhe vazhdoni me durim veprën tuaj, të sigurtë se një ditë, me ndihmën e Zotit, do të vilni frytet që Ai vetë do të pjekë sipas planeve të tij të mistershme të shpëtimit.

Në këtë çast, dua tju siguroj se Papa ju qëndron afër dhe ju inkurajon të ecni përpara, me besim në ndihmën e Zotit, Bariut të Mirë. Të dashur Vëllezër, qëndroni gjithnjë pranë besimtarëve tuaj: ata kanë nevojë për mësues të urtë, për barinj të shenjtë, për udhëheqës të sigurtë, të cilët me shembullin e tyre u tregojnë rrugën e bashkimit të plotë me Krishtin. Qëndroni të bashkuar, kujdesuni për thirrjet në meshtari e në jetën e shuguruar; nxitini veprimtarët pastoralë; këshillojini laikët të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në fushën civile dhe kishtare, sipas frymës së Enciklikës “Gaudium et Spes”, që të jenë në gjendje të japin një dëshmi të qartë, me të vërtetë katolike. Zoti ju ka vendosur në kontakt të ngushtë me vëllezërit ortodoksë: si gjymtyrë të të njëjtit Korp, kërkoni çdo bashkëpunim të mundshëm në shërbim të Mbretërisë së vetme të Hyjit. Të mos mungojë gatishmëria për të bashkëpunuar edhe me besimet e tjera të krishtera e me çdo person vullnetmirë për të promovuar çdo gjë që mund të jetë e dobishme për përhapjen e vlerave ungjillore.

Vëllezër të dashur e të nderuar, në këtë takim desha të vë në dukje disa aspekte të jetës së Bashkësive tuaja, që dolën në pah nga takimet tona individuale. Duke ju përshëndetur, ju siguroj edhe një herë dashurinë dhe lutjen time. Ndërsa kërkoj mbrojtjen e shën Marisë, Mbretëreshës së Apostujve, dhe të Shenjtërve Çiril e Metod, Pajtorë të Konferencës suaj Ipeshkvnore Ndërkombëtare, u jap të gjithëve Bekimin Apostolik, duke e shtrirë me gjithë qejf për të gjithë besimtarët që i janë besuar kujdesit tuaj baritor.







All the contents on this site are copyrighted ©.