2007-05-03 18:13:55

Në Sharm El-Sheik, konferenca ndërkombëtare mbi Irakun


(03.05.07 RV)Në Sharm el-Sheik të Egjiptit filloi sot Konferenca ndërkombëtare për Irakun. Diskutimet e sotme janë përqëndruar në çështje ekonomike që kanë të bëjnë me grupin e donatorëve e me planin 5-vjeçar Interneshënëll Kompakt uith Irak (International Compact with Iraq) që koordinon iniciativat për rindërtimin e zhvillimin e vendit. Si hap i parë, disa nga vendet kanë vendosur ta konsiderojnë të shlyer borxhin që u ka Iraku. Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs u bëri thirrje shteteve që të marrin pjesë në rindërtimin e Irakut, me një impenjim më të madh e më të shumtë në numër.
Nesër, konferenca merr karakter më tepër politik. Në plan të parë roli i vendeve fqinjë me Irakun (Irani, Jordania, Kuvajti, Arabia Saudite, Siria dhe Turqia) në procesin e stabilizimit të vendit. Po në këtë ditë, do të takohen edhe Kuarteti për Lindjen e Mesme me përfaqësuesit e vendeve arabe të përfshira në procesin e paqes: Egjipti, Jordania e për herë të parë, Siria dhe Arabia Saudite. Mund të ndodhë që gjatë kësaj Konference të takohen sekretarja amerikane e shtetit dhe ministri i jashtëm iranian, të cilët sot janë ulur afër në tryezën e drekës. Por sipas iranianëve, “tryeza ishte e vogël”.


Ndërkaq, në Irak vazhdon dhuna. Katër filipinas mbetën të vrarë në një sulm në të ashtuquajturën “zonë e gjelbërt”, zona e blinduar e Bagdadit, ku e kanë selinë institucionet iraniane dhe ambasadat e huaja. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme iraniane deklaroi se është vrarë një nga terroristët më të kërkuar, Abu Omar al Bagdadi, kreu i të ashtuquajturit “shtet islamik të Irakut”. Televisioni tregoi edhe fotografinë e tij, por sipas televizionit arab Al Zhazira, nuk është vrarë Al Bagdadi, por Ministri i Informacionit i shtetit të tij islamik.







All the contents on this site are copyrighted ©.