Grupi i Kontaktit mundohet të bindë Rusinë për Kosovën
(03.05.07 RV)Grupi i Kontaktit është mbledhur sot në Londër, në përpjekjen
për të zbutur qëndrimin e Rusisë ndaj planit të Ahtisarit për Kosovën. Është një takim
rutinë në nivelin e drejtorëve politikë, përfaqësues të Italisë, Francës, Gjermanisë,
Britanisë së Madhe, Rusisë dhe SHBA-ve, por nënsekretari amerikan i shtetit, Nikolas
Bërns, saktësoi mbrëmë se objektivi është të punohet me zv.ministrin e jashtëm rus,
Titov, për t’u marrë vesh mbi një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit për Kosovën,
që duhet miratuar pas 30 ditësh. Është i pranishëm edhe i ngarkuari i posaçëm për
statusin Marti Ahtisari, i cili është takuar me ministrin britanik për Evropën, Xhef
Hun. Nga ana tjetër, ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin ka deklaruar se misioni
i Këshillit të Sigurimit në Kosovë, në të cilin ai vetë ka marrë pjesë, ka vënë re
se vetëm 5% e serbëve është kthyer në shtëpitë e veta. Ekziston një atmosferë pasigurie
dhe frike në zonë, ka theksuar ai, prandaj pavarësia e Kosovës nuk do t’i ndihmonte
serbët të ktheheshin. Serbia shpreson se Rusia do të përdorë veton kundër planit të
Ahtisarit.
Sot ndodhet për vizitë në Kosovë, Ministri i mbrojtjes
i Gjermanisë, Franc Jozef Jung. Ai është takuar me ushtarët gjermanë, që shërbejnë
në kuadër të misionit ndërkombëtar paqeruajtës, KFOR, në Prizren. Nesër, Jung pritet
të shkojë në Prishtinë.