2007-05-03 18:16:43

Dita Botërore për Lirinë e Shtypit: kohë të vështira për gazetarët


(03.05.07 RV)Sot kremtohet Dita ndërkombëtare e lirisë së shtypit. Në Kosovë, Shoqata e gazetarëve të pavarur ka organizuar një debat ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Agim Çeku. Janë vënë në dukje probleme nga financimi e deri te presioni nga grupe të caktuara.
Përsa i përket Serbisë, sot OSBE-ja, në një deklaratë të vetën, thekson se ambienti i punës për gazetarët është tepër kërcënues, aq sa mund të cënojë lirinë e shtypit në vend. OSBE-ja përmend vrasjen e tre gazetarëve, mbi të cilën akoma nuk është hedhur dritë.
Organizata e mirënjohur “Reporterë pa kufij” ka vënë në dukje sivjet sulmet që grupe të ndryshme të armatosura e madje edhe autoritete qeveritare, në regjime formalisht demokratike, kryejnë kundër gazetarëve dhe lirisë së informacionit në përgjithësi. Në listën e zezë, presidenti rus Putin e personalitete fetare si iraniani Khamenei. Vitin e kaluar 150 gazetarë janë vrarë në frontet e luftës, me qindra janë arrestuar e mijëra janë paralajmëruar nga ndonjë forcë e errët, që të kenë kujdes në punën e tyre. Nuk janë kohë të mira për gazetarët, sidomos pas 11 shtatorit 2001. Çfarë duhet të dijë opinioni publik? Pyetëm Stefano Marçelin, kryetar i Shoqatës “Informacion, Siguri dhe Liri”, që lufton për lirinë e informacionit në botë:
RealAudioMP3 Pikësëpari duhet të kuptojë se ç’po ngjan: të dëmtuarit, në radhë të parë, janë natyrisht gazetarët, por pastaj do të jenë edhe ata që blejnë gazetat, dëgjojnë radion apo shohin televizionin, pasi do të kenë një produkt të ndryshuar nga frika, nga korrupsioni e nga kontrollet. Ne i kërkojmë OKB-së dhe Bashkimit Evropian ta zgjidhin këtë problem, sepse nuk ka demokraci, pa liri shtypi. Nëse qytetarët nuk dinë, nuk njohin, nuk janë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike e nëse qytetarët nuk mësojnë të lexojnë midis rreshtave dhe të mbrojnë lirinë e mjeteve të informimit, rrezikojnë të humbasin lirinë e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.