2007-05-02 18:55:02

Papa: Dashuria është udha më e mirë për ta njohur Zotin


(02.5.07. RV)RealAudioMP3 Udha e privilegjuar për ta njohur Hyjin është dashuria: kështu tha mes tjerash Papa Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, kushtuar edhe kësaj herët Origjenit, “mësuesit të madh aleksandrin” të Kishës së lashtë. Papa, duke iu referuar muajit të majit që në mënyrë të posaçme i kushtohet Vigjërës Mari, ia besoj besimtarët mbrojtjes amënore të Zojës së Bekuar.
Para afër 30 mijë shtegtarëve të pranishëm në audiencën e përgjithshme derisa bjerte shi, Papa ndërpreu katekizmin mbi Origjenin e Aleksandrisë për t’iu referuar kohës së keqe duke thënë “ E pranojmë shiun si bekim prej Zotit: sot flitet shumë për thatësi, prandaj Zoti na jepë një shenjë bekimi ”.
Siç thamë, Ati i Shenjtë Benedikti XVI edhe sot vijoi meditimet e tija mbi personalitetët e mëdha të Kishës së lashtë. Kështu edhe këtë të mërkurë sikur javën e kaluar, Papa Racinger u ndal tek figura e Origjenit, shkrimtar i shkelqyeshëm e teologë i jashtëzakonshëm, që jetoi në mbarim të shekullit të II e në fillim të shekullit III. Origjeni qe torturuar në mënyrë të ashpër gjatë përndjekjeve të Deçios në vitin 250 e vdiq pak vite më vonë, ende pa i mbush 70 vjetë, i këputur prej vuajtjeve të tmerrshme që kishte pësuar.
Në katekizmin e audiencës sotme Benedikti XVI nënvizoi dy aspekte të doktrinës origjeniane, që sipas Papës konsiderohen ndër më të rëndësishmet e janë shumë aktuale ende sot: aspekti i parë është mësimi i origjenit mbi lutjen dhe i dyti ai mbi Kishën. Mendimi teologjikë i Origjenit, - tha Papa - nuk është traktat thjesht akademik; ai bazohet gjithmonë mbi përvojën e uratës, mbi kontaktin me Hyjin. Nga Origjeni së pari mësojmë vlerën e pazëvendësueshme e aq të madhe që kanë Shkrimet e Shenjta të Biblës. Ai porosit një “përkushtim të studimit e të meditimit të Biblës, prosit njohjen e Shkrimeve të Shenjta si “nivelin më lartë të njohjes së vet Hyjit….që buron nga dashuria”:
“Në të vërtetë, sipas mendimin të tij, inteligjenca e Shkrimeve të Shenjta shumë më tepër e para studimit, kërkon intiminitetin me Krishtin dhe lutjen. Ai është i bindur se udha e privilegjuar për ta njohur Hyjin është dashuria e cila nuk duhet të jetë një “autentica scientia Christi” “shkencë e vërtetë mbi Krishtin pa u dashuruar në Të”.
Sipas mësimit të Origjenit, vijoi Ati i Shenjtë Jozef Racinger, shkalla më e lartë e njohjes së Hyjit, buron nga dashuria. Kështu është edhe ndër njerëz: njëri e njeh realisht në thellësi tjetërin vetëm nëse ka dashuri, vetëm nëse hapen zemrat. Për të dëshmuar këte Origjeni bazohet mbi librin e Zanafillës e pikërisht mbi domethënien e fjalës hebraike”të njohësh”, e cila përdoret për të shpreh aktin e dashurisë njerëzore: “Adami e njohi Evën, gruan e vet, e cila ngjizi dhe lindi” (Zan 4,1).
“Kështu sugjerohet se bashkimi në dashuri sjell njohjen autentike. Sikur burri dhe gruaja janë “dy në një trup të vetëm”, pokështu Hyji dhe besimtari bëhën “dy në një shpirt të vetëm”. Në këtë mënyrë lutja sipas Origjenit të Aleksandrisë arrijnë shkallën më të lartë të mistikes”, sikur vërtetohet nga Homelitë e tija mbi Këngën e Këngëve.
Origjeni – nënvizoi në vazhdim Papa – zhvillon një rol të dorës së parë në historinë e lectio divina, leximit të Fjalës së Zotit në lutje e gjatë lutjes: në të vërtetë ky teologë është ndër të parët që pohon se sëbashku me një lexim të ngulshëm e plotë besim të Shkrimit të Shenjtë është absolutisht e nevojshme lutja për ti kuptuar mirë punët e Hyjit. E lidhur me këte Benedikti XVI citoi mësimet e Gjon Palit II mbi lutjen e tha:
“Ai u tregonte besimtarëve se ‘si lutja mund të përparojë, si dialog i vërtetë e personal dashurie, deri në atë shkallë sa ta bëjë personin njerëzor krejtësisht të pushtuar nga i Dashuri hyjnor, prekje emocionuese kjo e Shpirtit, udhë impenjuese që na sjell te gurra e gëzimit të patregueshëm, siç e kanë jetuar mistikët lutjen, për ta lutja ishte si një bashkim i thellë martesor me Hyjin”.
E tani, kalojmë se mësimi i dytë i Origjenit mbi Kishën, e saktësisht mbi brendinë e saj – mbi meshtarinë e përbashkët të besimtarëve. Në të vërtetë, sikur pohon Aleksandrini në Homelinë e nëntë mbi Librin biblik të Levitikun, “kjo bisedë na përketë ne të gjithëve” (Hom. Lev.9,1). Meshtaria e përbashkët – tha Papa –prej të gjithë besimtarëve kërkon pastërtinë e zemrës, ndershmërinë e jetës e mbi të gjitha fenë dhe pranimin e studimit të Fjalës së Zotit. Eshtë fjala – pohoi Benedikti XVI – për udhën e përsosmërisë në krye të së cilës vihet martirizimi: domethënë, në thellësi të shpirtit të heqësh dorë nga çdo gjë për të marrë kryqin tonë personal e të ndjekim Krishtin. Një udhë kjo që përshkohet vetëm duke mbajtur vështrimin të ngulur në zemrën e Tij Hyjnore.
Pas katekizmit të audiencës, Papa duke përshendetur besimtarët në gjuhë të ndryshme, kujtoi se tashmë është afër udhëtimi i tij apostolik në Brazilë (duke u nisur nga data 9 maj) për të përuruar Konferencën e V-të të përgjithshme të Episkopatit latinoamerikanë e karaibikë. Ati i Shenjtë uroi që ky takim i rëndësishëm kishtar të mund të japë fryte të begatshme ungjillëzimi e dëshmie të krishterë për të gjithë.
Së fundi, Benedikti XVI kujtoi se dje kemi filluar muajin që tradicionalisht i kushtohet Virgjërës Mari, e deshti t’ia besoj të gjithë besimtarët mbrojtjes amënore të Nënës së Hyjit:
“Të dashur të rinj, çdo ditë vihuni në shkollë të Shenjtueshëm Mari për të mësuar prej Saj të plotësoni vullnetin e Zotit. Duke kundruar Nënën e Krishtit të kryqëzuar, ju, të dashur të sëmurë, do të kuptoni vlerën shpëtimpruese të çdo kryqi, edhe të atyre më të rëndë. E ju, të dashur të ri të posa martuar, kërkojeni mbrotjen e saj amënore, në mënyrë që në familjet tuaja të mbretërojë përherë atmosfera e shtëpisë së Nazaretit”.
Së fundi, të gjithë të pranishmëve dhe atyre që e përcjellnin përmes radio televizionit, Ati i Shenjtë i dha bekimin e tij apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.