Kisha Katolike është shqetësuar gjithnjë për botën e punëtorëve
(01.05.07 RV)Sot në mbarë
botën është kremtuar festa e 1 majit, festa e punës të cilën Kisha Katolike ka dashur
ta vlerësojë edhe më tej duke ia kushtuar jetën e botës punëtore Shën Jozefit, pajtorit
qiellor të gjithë punëtorëve. Sipas doktrinës shoqërore të Kishës Katolike,
me punë njeriu bëhet më njeri, bëhet njeri e realizohet në kuptimin e vërtetë e të
plotë të fjalës, sepse puna është dhuratë e madhe që Zoti i ka falur njeriut, duke
e bërë atë “zotëruesin e tokës e të çdo gjallese që lëviz mbi tokë” dhe të të gjitha
të mirave materiale. Kisha Katolike gjithmonë i ka kushtuar vëmendje dhe është angazhuar
në plan të parë për përparimet në fushën sociale e në mënyrë të posaçme për krijimin
e vendeve të punës për të gjithë personat pa dallime e përjashtime. Dinjiteti i njeriut,
e drejta e punës dhe solidariteti me punëtorët, përherë kanë qenë dhe janë në qendër
të vëmendjes së Kishës Katolike. Kështu këtë ditë, më 1 maj, kremtohet Festa e
Punës. Ajo, për ne të krishterët është vënë nën mbrojtjen e Shën Jozefit punëtor.
Kjo festë e rëndësishme karakterizohet edhe nga nisma të ndryshme të cilat kanë për
qëllim të nxjerrin në pah pikërisht rëndësinë dhe vlerën e punës, përmes së cilës
njeriu e shndërron natyrën duke ia përshtatur nevojave të veta, duke realizuar vetveten
si njeri. Ne e dimë se gjithësia është dhuratë që Zoti i ka besuar krijesës njerëzore.
Krijimi i ka ato të mira për çka njerëzimi ka nevojë. Këndej nëse njeriu punon me
kujdes dhe e mbron gjithësinë, toka dhe të gjitha gallesat e të mirat materiale, i
plotësojnë nevojat që ka çdo person për të jetuar. Nga natyra dhe puna, pra, vjen
ajo “bukë e përditshme” që e kërkojmë me lutje në uratën e “Atë ynës”. Po duke folur
për punën dhe të mirat që Zoti falë çdo ditë, nuk mund të mos nënvizojmë edhe virtytet
e punëtorit. Në një farë kuptimi, mund të thuhet se përmes punës njeriu bëhet
më njeri, sikur nënvizuam më parë. Ja pse zelli për punë është virtyt. Mirëpo që ky
zell për punë t’i mundësojë me të vërtetë njeriut të bëhet më njeri, nevojitet që
puna të jetë e lidhur ngushtë edhe me rendin social të punës, me të drejtat themelore
të punës e të punëtorit. Vetëm në këto kushte mund të mbrohet e të garantohet dinjiteti
i personit dhe vlera njerëzore e sociale e aktiviteteve të ndryshme të punës. Dëgjues
të nderuar, thamë më parë se Kisha Katolike përherë i ka kushtuar vëmendje të posaçme
botës punëtore, e kështu në këtë ditë nuk mund të mos i kujtojmë edhe mësimet e shumta
të Magjisterit të Kishës katolike në fushën sociale, sidomos nga periudha e Papës
Leonit XIII e deri te Gjon Pali II dhe Benedikti XVI mbi dinjitetin e punëtorit e
të punës, mbi të drejtën e punës, mbi parësinë e personit në botën e punës, mbi kërkesat
e drejtësisë e të solidaritetit. E në epokën e globalizimit edhe më tepër imponohet
brenda kombeve e në marrëdhëniet ndërkombëtare sfida e madhe e solidaritetit, përkujdesi
ndaj nevojave të personave, të grupeve e popujve më të dobët e më të varfër. Sot
nuk mund të mos e kujtojmë edhe kremtimin e Jubileut të punëtorëve që u mbajt më Një
maj të vitit 2000 në Tor Vergata në periferi të Romës me Papën Gjon Palin e Dytë.
Me atë rast Ati i Shenjtë Karol Wojtila, para mëse 200 mijë personave të mbledhur,
ku bënin pjesë sindikatat, studentët, të papunët, finacierët, politikanët e drejtorët
e firmave, tha se “solidariteti dhe drejtimi i ndryshimeve rrënjësore që kanë përfshirë
procesin e prodhimit, janë garancia etike që i mundëson popujt të bëhen protagonistë
të së ardhmes së tyre. Shpikjet teknologjike janë të rëndësishme por dallimet e mosbarazitë
që ekzistojnë në botë ende sot, janë ende të shumta e kërkojnë zgjidhje urgjente.
Jo gjithmonë organizimi i punës e respekton dinjitetin e personit njerëzor” – tha
Papa . Një tjetër temë e rëndësishme e atij 1 maji të Vitit Jubilar 2000 ishte
edhe falja apo shlyerja e borxhit të jashtëm të Vendeve më të varfëra. Me atë rast
Papa Gjon Pali II u bëri thirrje Vendeve të pasura të bëjnë hapa konkrete solidariteti.
“Nevojitet globalizimi i solidaritetit, pati theksuar Papa Wojtila. Jo pak Kombe,
në mënyrë të posaçme më të varfërat janë të shtypura e të munduara nga borxhet që
kanë marrë përmasa të tilla sa ta bëjnë praktikisht të pamundur pagesën”. Punë për
të gjithë si rrugë e solidaritetit dhe e drejtësisë, u nënvizua në Një majin e Vitit
Jubilar 2000 kremtuar në Romë në praninë e Papës Gjon Pali II. Po për rëndësinë
dhe vlerën e punës flasin edhe tekstet e Shenjta të Biblës, që rrëfejnë se Jezu Krishti,
Biri i Hyjit e vlerësoi shumë punën e zejtarisë. Po kështu, Kushtetuta e Koncilit
II të Vatikanit “Gaudium et Spes” na ndihmon dhe na nxit ta rizbulojmë kuptimin dhe
vlerën e punës e të përballojmë çekuilbrimet ekonomike e shoqërore që ekzistojnë
në shoqëritë e ndyrshme në botën e punës, dhe na thërret të rivendosim hijerarkinë
e drejtë të vlerave, në radhë të parë, dinjitetin e njeriut që punon, lirinë e tij,
përgjegjësinë e pjesëmarrjen, drejtësinë dhe mbrojtjen e kulturës së secilit popull
dhe të modeleve të ndryshme të zhvillimit. Me pak fjalë, ky dokument i Kishës na ndihmon
ta kuptojmë punën si detyrë, si të drejtë të nevojshme për t’i vënë pasuritë e tokës
e të teknologjisë, në shërbimin e përbashkët të njerëzimit e të shoqërisë së familjes
njerëzore në shkallë botërore, duke zbatuar kështu urdhërin e Zotit i cili na thotë:
“Nënshtrojeni tokën!”. Në këtë ditë, të gjithë ata që punojnë dhe ata persona që
kërkojnë punë, pra tërë familjen punëtore kudo në botë, ia besojmë ndërmjetësimit
qiellor të Shën Jozefit. Gjithnjë sot më 1 maj, për besimtarët katolikë fillon
edhe muaji maj të cilin Kisha ia kushton Zojës së Bekuar, Nënës sonë Qiellore dhe
u bënë thirrje të gjithëve t’i luten Zotit posaçërisht për punëtorët e në mënyrë të
veçantë për ata që kanë vështirësi për të gjetur punë. Në këtë ditë feste kushtuar
punës, nuk mund të mos shprehim solidaritetin tonë me të gjithë ata persona që vuajnë
për shkak të mungesës së punës, të pagës së pamjaftueshme, të mungesës së mjeteve
materiale. Në kètë ditë kaq të rëndësishme që na vènë para vlerën e rëndësisë së punës,
nuk mund të mos i denoncojmë ato plagë të rënda që ekzistojnë në fushën e botës së
punës e të shoqërisë së sotme, në të cilën popullsi të tëra, familje të tëra jetojnë
në varfèri të thellë, që e fyen dinjitetin e tyre njerëzor, që i pengon të gèzojnë
të mirat e tokës, që i detyron të ushqehen me thërrimet që bien nga sofra e të pasurve. Prandaj,
kjo ditë kushtuar punës në festën e Shën Jozefit punëtor, në njëren anë na kërkon
drejtësi e paqe për të gjithë popujt, për të gjitha familjet e na nxit ta vëjmë në
qendër të vemendjes njeriun e dinjitetin e tij dhe në anën tjetër na thërret që liria,
demokracia, financat, tregu të përdoren si mjete për të ndërtuar njè të ardhme më
të mirë e më të drejtë për të gjithë.