2007-05-01 18:51:18

1 maji Festa e Shën Jozefit Punëtor: Papa nënvizon përparësinë e njeriut mbi punën


(01.05.07 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI që në fjalimin e tij të parë, më 19 prill të vitit 2005, ditën e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, e shqipton dy herë fjalën “punë”. Atëherë thoshte për veten se ishte një “punëtor” i përvuajtur në vreshtën e Zotit, duke nënvizuar se ndjehej i ngushëlluar nga fakti se Zoti “di të punojë” e të veprojë edhe me mjete të pamjaftueshme. Më pas, në fjalën e tij për Sindikatat katolike italiane ACLI, më 27 janar 2006, Papa theksonte se “puna hyn në planin e Zotit për njeriun… është pjesëmarrja në veprën e Tij krijuese e shëlbuese”. Për këtë arësye “personi është metri i dinjitetit të punës”:
Nga përparësia e vlerës etike të punës njerëzore, dalin përparësi të tjera: ajo e njeriut mbi vetë punën, ajo e punës mbi kapitalin, ajo e destinacionit universal të të mirave materiale mbi të drejtën e pronës private: pra, përparësia e të qënit mbi të pasurit.
Pak ditë pas zgjedhjes, më 1 maj 2005, Papa Benedikti XVI dilte për herë të parë në dritaren e studios së tij private për Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kushtuar botës së punës, gjatë së cilës uroi që puna “të mos u mungojë sidomos të rinjve”. Më 19 mars 2006, në Solemnitetin e shën Jozefit, Ati i Shenjtë kremtoi meshën për punëtorët, duke i ftuar besimtarët “të shenjtërohen nëpërmjet punës”, sepse “megjithëse i nevojshëm, nuk mjafton vetëm kualifikimi teknik e profesional”, për t’iu përgjigjur plotësisht thirrjes së Zotit:
Puna ka rëndësi të dorës së parë për realizimin e njeriut dhe për zhvillimin e shoqërisë, e për këtë duhet që ajo të jetë organizuar dhe të zhvillohet gjithnjë në respektim të plotë të dinjitetit njerëzor e në shërbim të së mirës së përbashkët. Njëkohësisht, është e domosdoshme që njeriu të mos bëhet skllav i punës, të mos e ketë atë si idhull, duke pretenduar të gjejë në të kuptimin e fundit e përfundimtar të jetës.
Papa kujton rëndësinë e pushimit të së dielës. Duhet kërkuar që e diela të mos jetë njëlloj me ditët e tjera të javës – nënvizon – është një zgjedhje e qytetëruar”. Gjatë këtyre dy vjetëve të papnisë, Benedikti XVI ka bërë thirrje të ndryshme kundër shfrytëzimit të punëtorëve, në favor të sigurisë në punë, për futjen e personave me të meta fizike në aktivitete pune, ka denoncuar trajtimin e emigrantëve si mall e thjesht si krahë pune, është shprehur kundër punës së paguar keq, e cila shpesh pengon planet e njerëzve për të ardhmen, siç janë martesa e krijimi i familjes. Të rinjve u ka thënë se nuk ka rëndësi vetëm të bëhen më produktivë e më konkurrentë, por para së gjithash duhet të jenë dëshmitarë të bamirësisë e dashurisë. Pikërisht të rinjtë, të cilët i fton të mos e humbin shpresën, Ati i Shenjtë ua beson Shën Jozefit:
Dua t’ia besoj atij të gjithë të rinjtë që me mund arrijnë të hyjnë në botën e punës, të papunët dhe ata që vuajnë nga kriza e punës. Sëbashku me Shën Marinë, Nusen e tij, Shën Jozefi i mbrojttë të gjithë punëtorët dhe arriftë të nxjerrë prej Zotit qetësinë e paqen për të gjitha familjet e për gjithë njerëzimin. Duke parë këtë shenjt të madh, të krishterët mësofshin të dëshmojnë në çdo fushë të punës dashurinë e Krishtit, burim i solidaritetit të vërtetë dhe i paqes së qëndrueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.