2007-04-29 17:24:09

Papa Benedikti XVI shuguron 22 meshtarë dhe lutet për thirrje të reja cilësore


(29.04.07 RV)RealAudioMP3 Në Ditën Botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare, Papa Benedikti XVI shuguroi 22 meshtarë të dioqezës së Romës dhe u tha: në shërbimin tuaj meshtarak duhet të keni forcën e besimit dhe guximin e gëzimit.
22 të rinj në gjunjë, me kokën ndër duart e Papës, palmat me vajin krizmal, gati për t’u bërë meshtarë. Një pamje që sfidon kohën tonë, në të cilën flitet për rritje të popullsisë, por për mungesë thirrjesh. Në orën 9 të mëngjesit, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, qenë me mijëra ata, që morën pjesë në Meshën e Shenjtë të kremtuar nga Papa Benedikti XVI sëbashku me kardinalin vikar të dioqezës së Romës, Kamilo Ruini dhe me ipeshkvijtë e dioqezave nga vinin të rinjtë. Këta të rinj u bënë meshtarë në një ditë në të cilën liturgjia flet për figurën e Bariut të Mirë, një copë Ungjilli me “densitet të madh teologjik” siç tha Ati i Shenjtë në homelinë e tij:
Jezusi flet për vete si për Bariun e Mirë që u jep jetën e amshuar deleve të tij… Ai i njeh delet dhe delet e njohin atë, ashtu si edhe Ati e njeh Atë e Ai e njeh Atin Qiellor. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një njohje intelektuale, por me një marrëdhënie personale të thellë; një njohje zemrash, karakteristike e atij që do dhe duhet; e atij që është besnik dhe e di se mund t’i besojë pastaj dikujt; një njohje dashurie në sajë të së cilës Bariu i fton të vetët ta ndjekin, dhe që shfaqet plotësisht në dhuratën e jetës së amshuar që u bën atyre.
Ky intimitet i thellë shpirtëror me Krishtin, mundësia për të kuptuar ndjenjat e tij, duhen ushqyer – theksoi Papa – me shkollën e përditshme të shenjtërimit, që është elteri, Eukaristia. Prej andej, vjen shërbimi i Fjalës, i pajtimit. Ati i Shenjtë nguli këmbë me forcë në aspektin e “gëzimit” që duhet të shoqërojë mënyrën me të cilën meshtarët e rinj do t’i shërbejnë Zotit. Qoftë për ju – u tha Papa atyre – motiv ngushëllimi i përhershëm, siguria se Krishti nuk na braktis e se asnjë vështirësi nuk mund të pengojë realizimin e planit të tij universal të shpëtimit. Pikërisht sot, Kisha Katolike në mbarë botën kremtonte Ditën Botërore kushtuar Thirrjeve për rregulltarë e meshtarë e Papa pati për këtë një meditim të veçantë:
Të lutemi, që ata të cilët janë zgjedhur për këtë mision kaq të lartë të shoqërohen nga bashkësia në lutje e të gjithë besimtarëve. Të lutemi që në çdo famulli e bashkësi të krishterë, të rritet kujdesi për thirrjet e për formimin e meshtarëve: ai fillon në familje, vazhdon në seminar dhe përfshin të gjithë ata që e kanë për zemër shpëtimin e shpirtërave…T’i rrethojmë këta vëllezërit tanë në Krishtin, me solidaritetin tonë shpirtëror. Të lutemi që të jenë besnikë ndaj misionit për të cilin i thërret Zoti, e të jenë të gatshëm ta përsërisin çdo ditë para Zotit “po”-në e tyre, të tyren “ja ku jam”, pa rezerva.
“E t’i kërkojmë Zotit të vreshtit, në këtë Ditë kushtuar Thirrjeve – përfundoi Benedikti XVI – që të vazhdojë të thërrasë meshtarë të shumtë e të shenjtë, që i kushtohen krejtësisht shërbimit të popullit të krishterë”.
Në momentin e Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, para 50 mijë shtegtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, Papa Benedikti XVI përmendi sërish 22 meshtarët e rinj. Sërish një urim për meshtarë me cilësi, pavarësisht nga numri. Ati i Shenjtë i ftoi ata t’i mbeten besnikë lutjes dhe ta kremtojnë Meshën e Shenjtë me një përkushtim gjithnjë të rinovuar. Duke pasur parasysh temën e Ditës së sotme Botërore kushtuar Thirrjeve: “vokacioni në shërbim të Kishës së bashkuar në Zotin”, Papa Benedikti XVI tha:
Të gjithë të pagëzuarit janë të thirrur të kontribuojnë në veprën e shpëtimit. Por në Kishë ekzistojnë disa thirrje që i kushtohen veçanërisht shërbimit të bashkimit në Zotin. Përgjegjësi i parë i bashkimit katolik në Zotin është Papa, Pasardhës i Shën Pjetrit e Ipeshkëv i Romës; me të, rojtarë dhe mësues të unitetit janë Ipeshkvijtë, pasardhësit e Apostujve, të ndihmuar nga meshtarët. Por në shërbim të bashkimit në Zotin janë edhe personat e shuguruar e të gjithë besimtarët. Në qendër të Kishës së bashkuar në Zotin është Eukaristia: thirrjet e ndryshme marrin nga ky Sakrament i Lartë, forcën shpirtërore për të ndërtuar vazhdimisht në dashuri, Korpin e vetëm të Kishës.
Një kuriozitet. Ndër meshtarët e shuguruar sot që edhe djali i fotoreporterit që ka shoqëruar gjithnjë papët. Arturo Mari, 27 vjet pas Papës Gjon Pali II e tani pas Benediktit XVI, si fotoreporter i gazetës vatikanase “Osservatore Romano” ndodhej për herë të parë në një meshë papnore, nga ana e publikut, pa makinën fotografike në duar. Qe edhe i pari që mori Kungimin nga duart e Atit të Shenjtë, i cili shuguroi meshtar djalin e tij Huan Karlos Mari.
Janë 406 mijë meshtarët në të gjithë botën. Për formimin e tyre Kisha thekson se është e rëndësishme përgatitja e mirë në shkolla, një përgatitje që i gjen bazat në thirrjen e dashurisë që Zoti u bën atyre për t’i shërbyer Atij e popullit të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.