Filluan në Vatikan punimet e plenares të Akademisë së Shkencave Shoqërore mbi temën:
"Mungesa e dashurisë dhe e drejtësisë në botë".
(27.04.2007 RV) “Dashuri e drejtësi në marrëdhëniet ndërmjet popujve e kombeve”:
kjo është tema e sesionit të 13-të të Akademisë së Shkencave Shoqërore, që filloi
sot punimet në Vatikan, për të përfunduar më 1 maj. Po flitet me shqetësim për mungesën
e dashurisë e të drejtësisë në botën e sotme, për rishfaqjen e nacionalizmit në formën
e armiqësisë kundër emigracionit, për proteksionizmin komercial dhe mungesën e barazisë
në shumë drejtime, siç është barazia ndërmjet burrit e gruas, barazia në mbrojtjen
e shëndetit e në disa fusha të tjera, gjë që cënon rëndë dinjitetin e njeriut. Dje,
gjatë paraqitjes së plenares në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u nënvizua se të ashtuquajturat
Objektiva të Mijëvjeçarit për luftën kundër varfërisë, pandemive e shkeljes të të
drejtave të njeriut, janë realizuar pak e aspak, pa llogaritur problemet e reja që
shtrohen çdo ditë për zgjidhje para njerëzimit.Takimi frymëzohet nga Enciklika e Benediktit
XVI ‘Deus caritas est’ – ‘Zoti është dashuri’ që pjesërisht është enciklikë shoqërore.
Krijon, prandaj, mundësi për të reflektuar mbi kushtet e jetesës në shoqërinë bashkëkohore,
ku ndjehet fuqimisht nevoja për dashuri e për drejtësi, të cilat mungojnë gjithnjë
më shumë. E kjo ka pasoja të rënda sidomos mbi jetën e njerëzve të varfër.