2007-04-26 16:43:15

Inkurajimi i Papës për vijimin e rrugës së dialogut ekumenik në audiencën me anëtarët e KKEE.


(26.04.2007 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI priti sot në Vatikan anëtarët e Kryesisë së Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, të kryesuar nga kardinali Peter Erdë. Prelatët, pasi kishin vizituar më parë disa dikastere të Vatikanit, u takuan me Papën për të reflektuar mbi problemet e Evropës dhe mbi projektet e KKEE-e. Me këtë rast, në Sallën Markoni të Radios sonë, u mbajt një konferencë shtypi, gjatë së cilës u fol për nismat e ardhshme evropiane organizuar nga Kryesia e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, për të cilat flet sekretari i përgjithshëm i Kryesisë, imzot Aldo Giordano, në mikrofonin e Radios sonë:
“Sigurisht Papa inkurajoi përpjekjet për pajtimin ndërmjet të krishterëve e prej këndej, vijimin e rrugës ekumenike. Folëm për projektin e Asamblesë Ekumenike të Sibiu-së, që do të mbahet në shtatorin e ardhshëm. E folëm edhe për marrëdhëniet ndërmjet lindjes e perëndimit të Evropës, dmth për marrëdhëniet ndërmjet Kishave të Perëndimit e të Lindjes me Kishën ortodokse. Folëm për Bashkimin Evropian e për rrugën që duhet të ndjekin Kishat për të dhënë kontributin e tyre në këtë Bashkim Evropian, duke punuar në gjirin e tij e, sidomos, duke mbështetur ato vlera, që kanë rëndësi të dorës së parë për të”.
Gjatë konferencës së shtypit, në të cilën mori pjesë edhe zevendës-kryetari i KKEE-e, kardinali Josip Bozaniç, kardinali Peter Erdë paraqitit takimin evropian të profesorëve universitarë, që do të mblidhet në Romë nga 21 deri më 24 qershorin e ardhshëm. Kryetari i KKEE-e nënvizoi rëndësinë e humanizmit të ri për Evropën:
 “Do të flasim për humanizmin e ri në Evropë, për vlerat themelore njerëzore që duhen paraqitur, duhen mbrojtur e duhen fuqizuar edhe në jetën publike të Kontinentit. Ky takim, tepër i rëndësishëm, do të përfshijë edhe disa konferenca shkencore, si dhe takime të nivelit shoqëror. Në përfundim, shpresojmë të kemi edhe një takim me Shenjtërinë e Tij, që e inkurajon shumë këtë veprimtari të përbashkët. Sigurisht vlerat themelore nuk mbrohen në nivel politik, por në nivel njerëzor, që është edhe më i thellë. Me njerëzit e shkencës e të kulturës po zhvillojmë një dialog të thelluar e, nga viti në vit, shikojmë shenja të dëshirës për bashkëpunim, gjë që e presim me një kënaqësi të veçantë.







All the contents on this site are copyrighted ©.