2007-04-25 17:20:53

Funerali i Boris Jelsin. Me ne kryeipeshkvi Kondrusieviç.


(25.04.07)RealAudioMP3 Pjesëmarrje e madhe në Moskë në funeralin e ish-presidentit rus, Boris Jelsin. Për të -ceremoni fetare, e para e këtij lloji për një lider të Kremlinit.
Në praninë e autoriteteve ruse dhe atyre ndërkombëtare, para mijëra qytetarëve të thjeshtë rusë, në katedralen moskovite të Krishtit Shpëtimtar, u zhvillua sot funerali i atij që detyroi Gorbaçovin të nënshkruajë dorëheqjen dhe udhëhoqi popullin rus nga epoka e Bashkimit Sovjetik në shpërbërjen e tij deri në Rusinë e sotme. Të dëgjojmë shërbimin e Kiareta Zukonit, e cila ndoqi funeralin për Radio Vatikanin:
Filloi me mesazhin e Patrikut Aleksej II, lexuar nga metropoliti Jevunali, ceremonia solemne mortore për Boris Jelsinin. Funerali i parë ortodoks që nga viti 1894. Një mesazh në të cilin nënvizohet se ish-presidentit rus iu desh të merrte përsipër përgjegjësi të rëndësishme për vendin në kohë të vështira, por mesazh në të cilin Patriku kujton edhe miqësinë që e lidhte me Jelsinin. “Historia do ta gjykojë. Ne lutemi të pushojë në amshim” shkruan Aleksej II, duke përfunduar: “Për herë të parë në 100 vjet histori, trupi i një kreu të shtetit rus ndodhet këtu në tempull e ne lutemi për të”. Shtypi lokal i ka kushtuar shumë faqe Jelsinit, i cili siç kujtoi edhe Gorbaçov, ka bërë shumë punë të mira, por edhe shumë të këqia. Njëkohësisht golpist e antigolpist, liberist dhe mbrojtës i të drejtave të grupeve të mëdha oligarke, filo-perëndimor, por edhe mbrojtës i shpirtit lindor rus: ky ishte Jelsini, i nderuar sot edhe nga presidenti aktual Putin, të cilin vetë e zgjodhi si pasardhës. Akti i fundit, në varrezat e manastirit të Novodeviçit, ku Jelsin do të pushojë pranë poetëve, shkrimtarëve, muzikantëve dhe kozmonautëve të mëdhenj rusë.

Po ç’rëndësi ka pasur periudha e qeverisjes së Boris Jelsinit për Kishën në Rusi? Pyetëm kryeipeshkvin katolik të Nënës së Zotit në Moskë, imzot Tadeush Kondrusieviç:
Boris Jelsin ka qenë presidenti i parë pas rënies së komunizmit dhe është presidenti që bëri gjithçka mundi për të promovuar idenë e demokracisë. Edhe përsa i përket fesë, i jemi shumë mirënjohës, sepse gjatë presidencës së tij, Kisha mundi të ushtrojë lirinë e kultit fetar. Emri i tij do të mbetet në historinë e Rusisë si ai që solli demokracinë.
Ndoshta ai ishte i vetëdijshëm për aftësitë që kishte e mundësitë që i ofroheshin, prandaj në fund të mandatit pat kërkuar falje publikisht për gabimet e bëra…
Çdo njeri gabon, është e natyrshme. Por duhet të themi se shumë gjëra janë bërë gjatë presidencës së tij. Ai kishte me të vërtetë shumë armiq, të cilët nuk i donin ndryshimet në favor të demokracisë, të tregut të lirë, të lirisë fetare, të lirisë së shtypit e kështu me radhë. Nuk ka qenë e lehtë, por ai e realizoi këtë kalim. E nga ana tjetër, fakti që kërkoi falje, tregon vetëm se ishte njeri i madh.
Është kreu i parë sovjetik që pati një funeral fetar. Është kjo shenjë ndryshimesh në Rusi?
Po. Gjatë presidencës së tij u rindërtua kjo katedrale. Vizitoi Atin e Shenjtë dy herë dhe ftoi Papën Gjon Pali II të vizitojë Rusinë. Kjo nuk u arrit, por ky njeri e pati vullnetin e mirë për ta realizuar. Sot shihet se si në shoqërinë ruse, ashtu edhe në Evropë e në të gjithë botën, nuk mund të shkohet përpara pa themelet fetare. E një nga domethëniet e funeralit të sotëm është pikërisht kjo.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.