2007-04-23 17:36:54

Papa i shkruan letër kancelares Angela Merkel: vendet e pasura t’i mbajnë premtimet për luftën kundër varfërisë në botë.


(23.04.2007 RV) “Objektivi për ta zhdukur varfërinë e plotë brënda vitit 2015, është një nga detyrat e rëndësishme të kohëve tona”. Kështu shkruan Papa në një letër drejtuar kancelares gjermane Angela Merkel, në sa bëhen përgatitjet e fundit për Takimin e rangut të lartë të G. 8, grupit të shtatë vendeve më të industrializuara dhe Federatës ruse, që do të mbahet më 6 deri më 8 qershorin e ardhshëm në Hailigendam, në bregun baltik të Gjermanisë. Në letrën papnore, shkruar me rastin e fillimit të presidencës gjermane në Bashkimin Evropian e në G.8, shënohet data 16 dhjetor 2006.
Angjela Merkel iu përgjigj Papës më 2 shkurt. Sot gazeta e Vatikanit, ‘L’Osservatore Romano’ boton pikërisht këtë letërkëmbim. E për hollësirat e tij, ju ftojmë të ndiqni komentin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit e të Radios sonë, Atë Federiko Lombardit, S.J.:
“Letërkëmbimi ndërmjet Papës Benedikti XVI dhe Doktoreshës Merkel, kancelare e Republikës Federale gjermane, aktualisht edhe e Bashkimit Evropian dhe e G.8, është një fakt i rëndësishëm. Nevojat urgjente e shpesh dramatike të vendeve më të varfëra e posaçërisht, të Afrikës, rivihen në qendër të vëmendjes së opinionit ndërkombëtar. Ky pikësynim i presidencës angleze në Bashkimin Evropian, i shprehur me vendosmëri që meritonte të vlerësohej, vijon të jetë edhe i presidencës gjermane, e Kisha katolike shpejton të shprehë vlerësimin dhe mbështetjen e saj në mënyrë të qartë e të motivuar.
Papa kujton temat e mëdha që kanë të bëjnë me vizionin e Kishës mbi luftën kundër varfërisë, mbi ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet popujve mbi bazat e drejtësisë në rrethanat e globalizmit aktual si dhe mbi rrugët konkrete për arritjen e këtyre objektivave, që nga fusha e tregtisë, tek shlyerja e borxhit të jashtëm, tek impenjimi për ta ndihmuar zhvillimin, sidomos shëndetësinë e deri tek lufta kundër tregtisë së armëve.
Dy vërejtje, sidomos me karakter metodik: letra e Papës nuk ka asgjë abstrakte, as moralistike. Papa e di sa e lodhshme, e vështirë dhe e lartë është pergjegjësia që duhet ushtruar në fushën politike dhe ekonomike. Prandaj me autoritetin e tij moral e me mundësitë konkrete të bashkëpunimit të Kishës katolike, e mbështet qartë çdo projekt konkret dhe çdo përpjekje për ta ushtruar këtë përgjegjësi me qëllime fisnike për të mirën e përbashkët të familjes njerëzore.
Përgjigja e Zonjës Merkel qëndron në të njëjtën lartësi. Është një shembull i shkëlqyer i marrëdhënieve korrekte ndërmjet autoritetit politik e shpirtëror. Një sinjal shprese për një botë më të drejtë. Pastaj duhet theksuar edhe gjërësia e horizontit. Papa shpreh shqetësimin e tij të thellë për vendet më të varfëra, posaçërisht për Afrikën. Shqetësim në vazhdimësi të plotë me paraadhësit e tij. Nuk është e vërtetë se ai është ‘eurocentrist’, siç mendon ndokush. Pas pak ditësh do të shkojë në Amerikën Latine. Kur flet për Evropën, Papa mendon për një Evropë që bashkëpunon me të gjithë në drejtësi, solidaritet, në ndërtimin e një bote, e cila respekton dinjitetin e çdo njeriu”.







All the contents on this site are copyrighted ©.