2007-04-23 18:39:23

Në Irak vala e atentateve nuk ndalet, sot 23 te vdekur. BE miraton sanksionet kundër Iranit.


(23.4.07 RV) Në Irak një seri atentatësh kanë shkaktuar vrasjen e 23 personave.
Ndër sulmet më të rënda është një në restorant afër kompleksit të ndërtesave qeveritare dhe diplomatike në zonën e gjelbër në Bagdad, ku u vranë tre persona dhe u plagosën 10 të tjerë. Në qytetin verior Mosul, nga një tjetër sulm vetëvrasës me makinë bombë në një zyre të Partisë politike kurde, janë vra 10 vetë dhe plagosur 20 të tjerë. Po kështu edhe në Bakuba, nga një atentat me makinë bombë, që u përplas në një ndërtesë policie, janë vra 10 vetë dhe plagosur edhe 10 të tjerë.

BE miraton sanksionet kundër Iranit. Ministrat e Jashtëm të BE-së të mbledhur në Luksemburg për Këshillin e Punëve të përgjithshme dhe marrëdhëniet e jashtme, kanë miratuar formalisht rregulloren e zbatimit të sanksioneve të OKB-së kundër Iranit pas refuzimit të ndaljes së programit bërthamor të pasurimit të uraniumit. Në këtë mënyrë BE rrit trysninë ndaj Iranit para takimit që do të zhvillojë Havier Solana të mërkurën e ardhshme me Ali Larixhanin në Turqi. Irani refuzon me kokëfortësi të ndërpresë programin e tij për pasurimin e uraniumit.

Në dy shpërthime bombash në Afganistan, vriten 7 vetë. Nga një shpërthimi i një bombe në rrugë janë vrarë sot pesë zyrtarë të zbulimit afgan, kurse nga një shpërthim tjetër i ngjashëm janë vrarë gjithashtu dy policë, ka bërë të ditur qeveria e Afganistanit. Kjo është vala më e re e shpërthimeve, për të cilat fajësohen guerilët e rigjallëruar talibanë.
Opozita nigeriane nuk pranon rezultatin. Janë shtuar kritikat lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve presideciale në Nigeri, kur priten të shpallen rezultatet. Rezultatet e para thonë se kandidati i partisë në pushtet, Umaru Yar'Adua, është afër fitores. Kandidatët kryesorë të opozitës në zgjedhjet presidenciale të Nigerisë kanë thënë se nuk do ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të së shtunës. Sipas tyre, partia në pushtet, Partia Demokratike Popullore i ka vjedhur votat. Ata thanë se do të bëjnë thirrje për protesta paqësore dhe të sfidojnë ligjërisht zgjedhjet. Edhe vëzhguesit ndërkombëtar kanë vrejtur parregullsi të mëdha në votime e kërcënime me dhunë.








All the contents on this site are copyrighted ©.