2007-04-22 18:20:51

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas Kalendarit Kishtar


(22.04.2007 RVRealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën III të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Sotirin Papë, Shën Kajon Papë shën Agapiton, Papë
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Gjergjit martir; e Shën Adalbertit, ipeshkëv i Pragës e martir dhe e Shën Maria Gabriela Sagedus, virgjër çistecense. Liturgjia e ditës na kujton se turma e kërkon Jezusin, kryesisht sepse shpreson të hajë e të ngihet mrekullisht. Në sa Jezusi duhet kërkuar sepse Zoti na e dërgoi si shujtë shpirtërore për jetën e pasosur.
Të martën do të përkujtohen Shën Fedeli i Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe Shën Maria Heselblad, themeluese e brigjidineve. Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Mosiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar.
Të mërkurën Kisha do të përkujtojë Shën Markun ungjilltar, i cili me jetën e me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.
Të enjten do të kremtohet festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa, rrenimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan të Italisë, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.
Të premten, në festën e Shën Simeonit, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir, liturgjia e nxit besimtarin t’i bëjë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësiht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi dhe gjaku i Tij janë bukë e vërtetë e pije e vërtetë!Të shtunën do të përkujtohen Shën Pjetri Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe Shën Luigji Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se, për fat të keq, shumë nga nxënësit, nuk i pranuan fjalët e Jezusit e u larguan nga Ai. Juda e tradhtoi. Ndërsa feja e Kishës u shpreh në besojmën e Pjetrit, që na kujton se e vetmja rrugë e drejtë është ajo që na çon te Krishti, sepse vetëm ai “Ka fjalët e jetës së pasosur!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.