2007-04-21 19:29:10

Benedikti XVI :Familja, element i rëndësishëm shoqëror


(21. 04.2007 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, rreth orës 15. 30, Benedikti XVI u nis me avion nga aeroporti romak i Çampinos drejt Vigjevanos e pastaj Pavisë, duke filluar kështu vizitën e katërt baritore në Itali. Papa zbriti në aeroportin Milano-Linate e që aty u nis me helikopter drejt Vigjevanos. Arriti pak para orës 17. 00. në stadiumin “Dante Merlo” ku e prisnin mijëra të rinj si dhe anëtarët e shoqërive sportive vendase. Këtu Papa u përshëndet nga autoritetet civile e kishtare e më pas u nis drejt qendrës së qytetit. Vargani i makinave përshkoi ngadalë rrugët kryesore, duke kaluar edhe para Kuvendit të klauzurës të Motrave Adhuruese të të Shenjtnueshmit Sakrament, që e përshëndetën Atin e Shenjtë nga tremja e Kishës.
Pastaj ushtuan daullet, që lajmëruan se Benedikti XVI po i afrohej Kryeipeshkvisë. Daullet u shoqëruan nga këmbanat e Katedrales, që mbushëm me tinguj festivë Sheshin Dukal, ku Benedikti XVI arriti i pritur me duatrokitje të stuhishme. Pas pak minutash u duk së bashku me kryebashkijakun e Vigjevanos, profesor Ambroz Kota Ramuzino, në ballkonin kryesor mbi Sheshin e Shën Ambrozit prej nga i drejtoi një përshëndetje të përzemërt turmës brohoritëse që ishte mbledhur për ta pritur.
Kujtoi së pari këmbanat, të cilat në mesditë kishin rënë të gjitha përnjëherësh, duke krijuar një atmoserë jashtzakonisht festive. Përshëndeti pastaj me radhë autoritetet civile e kishtare, por përshëndetjen më të përzemërt ua drejtoi të sëmurëve e të rinjve, duke uruar që Krishti i ngjallur t’i përsërisë secilit ftesën për ta ndjekur.
Mos ngurroni t’i besoni – u tha Ati i Shenjtë - takojeni, dëgjojeni e duajeni me gjithë zemër: në miqësinë me Të do të gjeni gëzimin e vërtetë që i jep kuptim jetës”.
Më pas Benedikti XVI iu afrua me procesion elterit të bardhë, ngritur në Sheshin Dukal, stolisur me lule të bardha e të verdha, ngjyrat e Vatikanit, i shoqëruar nga kori vigan i Katedrales. Nisi kështu bashkëkremtimin e Meshës Shenjte, i rrethuar nga mijëra besimtarë të dioqezës lombarde.
Homelia e Papës u përqendrua plotësisht tek ftesa që Krishti i ngjallur u bëri dishepujve të vet: “Hidhini rrjetat ... e do të gjeni!”. Janë fjalë të shkëputura nga fragmenti ungjillor i liturgjisë së sotme, që flet për peshkimin e mrekullueshëm, kur Krishti i ngjallur iu duk për herë të tretë dishepujve në brigjet e detit të Tiberiades. Pas shkandullit të Kryqit, ata kishin rifilluar të peshkonin si më parë. Qenë kthyer në jetën e mëparshme – theksoi Ati i Shenjtë – e kjo tregon qartë se bashkësia ishte shpërndarë. Por, kur gjithçka dukej e humbur, e kotë, Jezusi erdhi t’i takonte, ashtu si në rrugën e Emaus. I gjeti me rrjetat bosh.
“Po zardhte agimi kur Krishti u afrua – e ata nuk e njohën – tha Papa e në vijim shpjegoi se agimi në Bibël është simbol i ndërhyrjeve të jashtzakonshme të Zotit. Nata kishte kaluar e Zoti i ftoi dishepujt e lodhur e të këputur, pa fryt: “Hidhini rrjetat nga e djathta e barkës, e do të gjeni!” Dishepujt i besuan e rezultati ishte peshkimi i begatë, i mrekullueshëm”.
E pikërisht në atë ças, kur peshkatarët mezi i nxirrnin në breg rrjetat, që mend griseshin nga pesha e peshkut, Gjoni, i ndriçuar nga dashuria, i tha Pjetrit: “Është Zoti”- Kjo besojmë na fton të gjithëve të shpallim se Krishti është Zoti i jetës sonë – tha Papa - dhe në vijim iu drejtua besimtarëve të panumërt të dioqezës me fjalët:
“Të dashur vëllezër e motra, uroj që sonte Kisha që është në Vigjevano të përsërisë me entuziazmin e Gjonit: Jezu Krishti është Zoti! E uroj akoma që bashkësia juaj dioqezane ta dëgjojë Zotin, i cili me gojën time ju përsëritë: “Hidhi rrjetat, Kishë e Vigjevanos, e do të gjesh!”
Faqja ungjillore që sapo dëgjuam - vijoi të shpjegonte Papa - në njërën anë na kujton se duhet të impenjohemi në veprimtaritë baritore, sikur gjithë rezultati të varej nga përpjekjet tona, në anën tjetër, na bën të kuptojmë se suksesi i vërtetë i misionit tonë është plotësisht dhuratë hiri”.
Pastaj Benedikti XVI falënderoi përzemërisht autoritetet kishtare e civile e sidomos besimtarët e panumërt, mbledhur në tremen e katedrales, që ndiqnin me vëmendje e entuziazëm të jashtzakonshëm kremtimin në Sheshin Dukal, një nga sheshet më artistike të Italisë, ideuar nga ipeshkvi i Vigjevanos, Imzot Huan Karamuel, shkencëtar me famë evropiane, lindur katërqind vjet më parë. Ky shesh në të cilin spikat fasada me arkitekturë krej të veçantë e katedrales, pranë së cilës lartohet Kështjella e lashtë me kullën e saj, simbolizon – siç e kujtoi edhe Ati i Shenjtë gjatë homelisë – sintezën e mrekullueshme të një tradite në të cilën gërshetohen dy përmasat themelore të këtij qyteti: përmasa civile e ajo kishtare. I ftoi kështu t’i ruajnë me kujdes traditat e lashta të krishtera.
Hidhni rrjetat! – përsëriti disa herë Papa, duke shpjeguar se kjo do të thotë në radhë të parë të besosh në Krishtin e në fjalën e tij. Jezusi kërkon ta ndjekim me fe të sinqertë e të patundur – tha Benedikti XVI dhe në vijim i ftoi besimtarët t’ia venë veshin fjalës së Zotit e ta meditojnë ditë për ditë e sidomos, në përkim me vendimet e sinodit dioqezan të 1999-tës e me porositë e Bariut të sotëm, të forcojnë bashkimin e t’i hapin horizonte të reja ungjillëzimit:
“T’ju prijë përherë – i porositi Papa – kjo fjalë e Zotit: të gjithë do ta dinë se jeni dishepujt e mi, në se e doni njëri-tjetrin. E stili i bashkimit kërkon kontributin e të gjithëve” – tha më pas Ati i Shenjtë dhe i ftoi të gjitha bashkësitë, grupet e institucionet kishtare, bamirëse, shoqërore e kulturore të punojnë përherë në harmoni me veprimtarinë baritore dioqezane, duke u kujdesur posaçërisht për të rinjtë.
Gjatë homelisë Papa Racinger kujtoi edhe pajtorët qiellorë të dioqezës së Vigjevanos: Shën Ambrozin, Shën Karl Borromeun e të Lumin Mateo Karreri si dhe bij të tjerë të shquar të këtyre trojeve, duke i propozuar si modele që të ftojnë të ecësh në shtigjet e rrëpirta të shenjtërisë
Në përfundim Benedikti XVI i porositi besimtarët të luten bashkë me të, që bashkësia dioqezane t’i përgjigjet ftesës së Krishtit për t’i hedhur rrjetat, me bindjen se peshkimi i mrekullueshëm nuk do t’u mungojë kurrë atyre që besojnë në pushtetin e në praninë e Zotit i cili, në rrjedhë shekujsh, i dhuron vazhdimisht popullit të vet rininë e Shpirtit Shenjt.
E në sa ne po transmetojmë Mesha ka përfunduar e Papa ka arritur me helikopter në Stadiumin “Pietro Fortunati” të Pavisë, ku u prit nga autoritetet civile e kishtare. Pas pak makina e Atit të Shenjtë do drejtohet nga Sheshi i Katedrales, ku do ta presin të rinjtë e dioqezës, kryebashkijakja Piera Kapiteli dhe përfaqësuesi i qeverisë italiane Klemente Mastela, ministër i drejtësisë e nga ku Papa do t’i drejtojë Pavisë përshëndetjen e tij të parë. Por në sa Ati i Shenjtë përgatitet të flasë, po e përfundojmë kronikën tonë duke ju ftuar ta ndiqni nesër, bashkë me ne, vazhdimin e kësaj vizite baritore në Pavi, ku paradite Papa do të vizitojë poliklinikën e ‘Shën Mateut’ e do të bashkëkremtojë Meshën Shenjte dhe lutjen e Mbretëreshës Qiellore në Kopshtijet Borromaike.
Ndërsa pasdite, duke nisur nga ora 16. 15, do të takohet me botën e kulturës, në oborrin Terezian të universitetit të Pavisë.
Më pas, rreth orës 17. 30, do të kremtojë Lutjet mbrëmësore me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët e dioqezës në bazilikën e Shën Pjetrit. Këtu do të përfundojë vizita e Atit të Shenjtë, i cili do të niset me helikopter nga Pavia për në aeroportin Milano-Linate e që aty, në Aeroportin romak të Çampinos e në Vatikan, ku parashikohet të arrijë rreth orës 20. 15.







All the contents on this site are copyrighted ©.